“Luaj me gisht të thyer, nuk doja të humbisja Botërorin”, ‘Dibu’ Martinez zbulon sakrificën

Portieri i Aston Villas pësoi një frakturë në gishtin e unazës së dorës së djathtë gjatë nxehjes për finalen e Europa League, më pak se një muaj para nisjes së Botërorit. Pavarësisht dëmtimit, ai vendosi të mos i nënshtrohej operacionit për të mos humbur Kupën e Botës.
“Vendosa të mos operohesha dhe e kam kaluar shumë keq. Erdha këtu duke rrezikuar shumë dhe nuk kam mundur të stërvitem normalisht. Madje ende nuk jam stërvitur me grupin. Gjithmonë punoj vetëm me trajnerin e portierëve, Martín”, deklaroi Martínez pas fitores së Argjentinës ndaj Jordanisë.
Pavarësisht dyshimeve për gjendjen e tij fizike para debutimit në Botëror, “Dibu” ka qenë titullar në të tre ndeshjet e fazës së grupeve dhe shpreson që në sfidën e ardhshme ndaj Kepit të Gjelbër të luajë pa mbajtësen mbrojtëse në dorë.
“Besoj se në ndeshjen e ardhshme do të mund të luaj pa mbrojtëse, sepse është shumë e pakëndshme. Doreza më duket shumë e lirshme. Ishte diçka që e përballova vetëm me Martín”, u shpreh ai.
Portieri argjentinas falënderoi edhe dy kolegët e tij në kombëtare, Gerónimo Rulli dhe Juan Musso, të cilët e ndihmuan gjatë rikuperimit.
“Rulli dhe Musso më ndihmuan shumë në stërvitje. Punonim me topa volejbolli çdo javë. E vërteta është se më shqetëson shumë dëmtimi, por në fushë përpiqem të mos e mendoj”, tha ai.
Martínez tregoi gjithashtu se fillimisht kishte menduar t’i nënshtrohej operacionit, por mbështetja e trajnerit të kombëtares e bindi të vazhdonte.
“Kur më thanë se duhej të operohesha, më lindën miliona pyetje në kokë. Por trajneri më tha se do të më priste dhe do të më besonte sapo të isha gati. Kjo më dha shumë forcë”, përfundoi portieri i Argjentinës.

