Anglia përgatitet për atmosferë armiqësore në Meksikë, lojtarët pajisen me tapa për veshët!

Kombëtarja e Anglisë është paralajmëruar të presë një atmosferë tejet të zhurmshme dhe presion të madh nga tifozët vendas përpara ndeshjes ndaj Meksikës në çerekfinalet e Kupës së Botës 2026.
Sipas mediave britanike, Federata Angleze e Futbollit nuk ka hartuar masa të veçanta për të përballuar zhurmën që pritet jashtë hotelit të skuadrës, përveç pajisjeve standarde që lojtarët marrin në çdo udhëtim, si tapa për veshët dhe maska për sytë.
Shqetësimi lidhet me atë që ndodhi vetëm pak ditë më parë, kur tifozët meksikanë ndezën fishekzjarre, i binin daulleve dhe përdornin boritë e makinave jashtë hotelit të Ekuadorit gjatë gjithë natës, në prag të ndeshjes së 1/16-ave. Qëllimi ishte t’u prishnin gjumin futbollistëve ekuadorianë, të cilët një ditë më vonë u mposhtën 2-0 nga Meksika.
Pas incidentit, Federata e Futbollit të Ekuadorit paraqiti një ankesë zyrtare në FIFA, duke e cilësuar veprimin si një përpjekje të qëllimshme për të dëmtuar përgatitjet e skuadrës.
Tashmë edhe ekipi i drejtuar nga Thomas Tuchel pret të përballet me të njëjtin skenar kur të mbërrijë në Mexico City. Edhe pse federata angleze synon ta mbajë sekret vendndodhjen e hotelit ku do të akomodohet skuadra, ekziston frika se informacioni do të zbulohet dhe do të shpërndahet shpejt nga gazetarët vendas tek tifozët.
Burime pranë ekipit bëjnë të ditur se futbollistët anglezë, të mësuar me udhëtime të shpeshta ndërkombëtare, përdorin jo vetëm tapa për veshët dhe maska për sytë, por edhe metoda të tjera për të fjetur më mirë, si tinguj relaksues (“white noise”) dhe kura natyrale kundër pagjumësisë, në varësi të ndjeshmërisë së secilit.
Megjithatë, krijimi i zhurmës pranë hoteleve të skuadrave kundërshtare nuk konsiderohet një fenomen i ri në futbollin ndërkombëtar, pasi situata të ngjashme janë regjistruar edhe në kompeticione të tjera të rëndësishme, sidomos në Amerikën Latine dhe në Evropë.


