"Kush i vendosi projektet?"/ Partia e Lirisë kërkon përgjigje për “The Albania Files” dhe ndryshimet ligjore

Partia e Lirisë ka ngritur shqetësime lidhur me librin “The Albania Files”, duke e lidhur atë me mënyrën e zhvillimit të projekteve të ndërtimit dhe transformimit urban në Shqipëri.
Sipas kësaj force politike, në dokumentohen raste që lidhen me ndryshime ligjore dhe përfitime nga klientë të afërt me pushtetin.
Deputetja Erisa Xhixho i ka drejtuar kryeministrit një sërë pyetjesh për mënyrën se si janë zhvilluar kontaktet me studio ndërkombëtare arkitekture dhe institucionet e përfshira në këto projekte.
Në pyetjet e ngritura kërkohet informacion nëse ka pasur institucione shtetërore të përfshira në kontaktet me arkitektët që paraqiten në librin “The Albania Files”, si dhe në çfarë cilësie janë zhvilluar këto kontakte.
Po ashtu kërkohet të sqarohet se cili institucion ka autorizuar këto komunikime, mbi cilin dokument strategjik janë bazuar projektet dhe nëse ekziston një strategji e miratuar për transformimin urban dhe turistik të zonave të përfshira.
Një tjetër pikë lidhet me ndërmjetësimin mes arkitektëve, investitorëve dhe zhvilluesve, si dhe me mënyrën e përzgjedhjes së projekteve që janë zhvilluar në zona të mbrojtura.
Në pyetje përfshihen edhe procedurat e konkurseve publike, financimi i tyre, si dhe publikimi i rezultateve. Po ashtu kërkohet informacion për analizat e ndikimit ekonomik, social dhe mjedisor të këtyre projekteve.
Deputetja kërkon gjithashtu dokumentacion që lidhet me kontaktet mes institucioneve, arkitektëve dhe investitorëve, si dhe mënyrën e verifikimit të burimeve të financimit.
Në fund, ngrihet pyetja mbi mekanizmin institucional dhe ligjor që ka garantuar transparencën, konkurrencën dhe interesin publik në zhvillimin e projekteve të përfshira në “The Albania Files”.


