Ermal Meta drejt “La Notte della Taranta 2026”, emërohet Drejtor Artistik i festivalit më të madh të muzikës popullore në Itali!

Ermal Meta drejt “La Notte della Taranta 2026”, emërohet

Kantautori me origjinë shqiptare Ermal Meta është zgjedhur Drejtor Artistik i edicionit të 29-të të festivalit të njohur “La Notte della Taranta”, një prej ngjarjeve më të rëndësishme të muzikës etnike në Evropë.

Edicioni i këtij viti, që do të kulmojë më 22 gusht 2026 në Melpignano të Puljas, do t’i kushtohet Mesdheut si hapësirë dialogu, bashkëjetese dhe shkëmbimi kulturor.

Emërimi i Metës si Maestro Concertatore është vlerësuar si një zgjedhje me peshë të veçantë artistike dhe simbolike, duke pasur parasysh rrugëtimin e tij mes Shqipërisë dhe Italisë dhe identitetin e tij artistik që ndërthur kultura të ndryshme.

I lindur në Fier dhe i rritur në Bari pas emigrimit të familjes në vitet ’90, Ermal Meta është sot një nga kantautorët më të suksesshëm të skenës italiane, fitues i Festivalit të Sanremos dhe autor i një sërë hitesh të njohura.

Në një reagim pas emërimit, ai u shpreh i nderuar dhe i emocionuar për këtë detyrë të re, duke e cilësuar festivalin si një traditë të thellë që bashkon publikun dhe artistët përmes muzikës.

“La Notte della Taranta”, e krijuar në vitin 1998, është kthyer në festivalin më të madh të muzikës popullore në Itali dhe një nga më të njohurit në Evropë, duke transformuar çdo verë zonën e Salentos në një skenë të hapur ku tradita e pizzicës takohet me muzikën bashkëkohore.

Edicioni 2026 do të vendosë në qendër Mesdheun si hapësirë kulturore që lidh popujt, gjuhët dhe historitë e rajonit, me pjesëmarrjen e artistëve nga Italia, Shqipëria, Ballkani, komunitetet arbëreshe, Maroku, Sicilia dhe Sardenja.

Si çdo vit, festivali do të ruajë traditën e muzikës arbëreshe, e cila mbetet pjesë e rëndësishme e programit artistik dhe trashëgimisë kulturore të Mesdheut.

Në këtë mënyrë, pritet që drejtimi artistik i Ermal Metës të sjellë një edicion me theks të fortë identitar dhe kulturor, duke forcuar më tej rolin e festivalit si një urë bashkimi mes traditës dhe muzikës moderne.

EMISIONET