Shërbimi i Alergologjisë në QSUNT certifikohet si qendër ekselence

Shërbimi i Alergologjisë në QSUNT certifikohet si qendër

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është certifikuar si qendër ekselence nga Global Allergy and Asthma Excellence Netëork.

Lajmin e bëri të ditur QSUNT sot, në një postim në rrjetet sociale.

Shërbimi i Alergologjisë në QSUNT ofron diagnostikim, trajtim dhe ndjekje të specializuar për pacientët që vuajnë nga sëmundjet alergjike, duke mbuluar një gamë të gjerë patologjish si astma alergjike, riniti alergjik, urtikaria, dermatitet alergjike, alergjitë ushqimore, alergjitë nga medikamentet dhe reaksionet ndaj pickimeve të insekteve.

Në këtë shërbim realizohen vizita të specializuara, teste diagnostikuese alergologjike, teste të lëkurës, vlerësime laboratorike dhe procedura të tjera bashkëkohore që mundësojnë identifikimin e shkaktarëve të alergjive dhe përcaktimin e trajtimit më të përshtatshëm për çdo pacient.

Shërbimi bashkëpunon ngushtë me specialitete të tjera si pneumologjia, dermatologjia, pediatria, ORL-ja dhe imunologjia, për menaxhimin multidisiplinar të rasteve që kërkojnë vlerësim të integruar.

Përmes investimeve në pajisje diagnostikuese, përditësimit të protokolleve klinike dhe rritjes së kapaciteteve profesionale të stafit, Shërbimi i Alergologjisë në QSUNT synon të ofrojë kujdes cilësor, të sigurt dhe në përputhje me standardet bashkëkohore, duke garantuar diagnostikim të hershëm dhe trajtim efektiv për pacientët me sëmundje alergjike.

EMISIONET