Mirlind Daku shpërthen që në start/ Sulmuesi kosovar shënon golin e parë të sezonit me Rubin Kazanin

Mirlind Daku shpërthen që në start/ Sulmuesi kosovar shënon

Mirlind Daku e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme sezonin e ri në elitën e futbollit rus, duke gjetur menjëherë rrugën drejt rrjetës me fanellën e Rubin Kazanit.

Sulmuesi kosovar ishte protagonist në përballjen ndaj Krasnodarit, nënkampionit të Rusisë, duke realizuar golin e epërsisë 1-0 në minutën e 12-të të takimit.

Daku pranoi një top jashtë zonës së rreptësisë, mes dy mbrojtësve kundërshtarë, e kontrolloi bukur dhe me qetësi e dërgoi topin në rrjetë, duke treguar edhe një herë aftësitë e tij para portës.

Reprezentuesi i Kosovës vazhdon të mbetet një nga lojtarët më të rëndësishëm të Rubin Kazanit. Edhe sezonin e kaluar ai ishte një nga shtyllat kryesore të skuadrës, duke realizuar 10 gola në kampionat, para se një dëmtim ta ndalte në periudhën më të rëndësishme të sezonit.

Rikthimi i tij në fushë ka sjellë sinjale pozitive, ndërsa goli në ndeshjen hapëse të edicionit të ri tregon se Daku synon të vazhdojë të jetë lideri i repartit ofensiv të Rubin Kazanit dhe një prej sulmuesve më të rrezikshëm në kampionatin rus.

Në këtë sfidë, përveç Dakut, nga minuta e parë për Rubin Kazanin u aktivizuan edhe futbollistët kosovarë Nazmi Gripshi dhe Veldin Hoxha, ndërsa Dardan Shabanhaxhaj nuk ishte pjesë e skuadrës.

Me këtë nisje, Mirlind Daku ka dhënë sinjalin e parë se sezoni i ri mund të jetë sërish një kapitull i suksesshëm në karrierën e tij.

EMISIONET