Ish-presidentja Vjosa Osmani i drejtohet kutive të votimit, thirrje qytetarëve të Kosovës: Ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike

Ish-presidentja, Vjosa Osmani ka votuar në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke bërë thirrje për një proces të rregullt dhe demokratik.
Pas votimit, Osmani uroi që procesi zgjedhor të zhvillohet në mënyrë të qetë, teksa i bëri thirrje qytetarëve të Kosovës t’i drejtohen kutive të votimit.
“Dua t’u uroj të gjithë qytetarëve një proces të rregullt, i cili i kontribuon demokracisë dhe krijimit të institucioneve sa më parë që të jetë e mundur, në mënyrë që Kosova të dalë nga kriza. Shpresoj që sa më shumë qytetarë ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike. Njëkohësisht i falënderoj të gjitha institucionet që gjatë ditës do të jenë në terren për të kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre.
Shpresoj që sot të jetë dita e Kosovës, dita kur Kosova do të festojë dhe do të fitojë. Jam e bindur se me votën e qytetarëve do të hapet rruga për krijimin e institucioneve dhe që qytetarët ta nxjerrin vendin nga kriza. Pas publikimit të rezultateve, do të kemi arsye ta shohim Kosovën gjithnjë e më lart”, deklaroi Osmani.

