Goethe-Institut ndryshon paraqitjen e Kosovës/ Ambasadori Ajeti falënderon qytetarët për reagimin

Goethe-Institut ka korrigjuar mënyrën e paraqitjes së Republikës së Kosovës në platformën e saj, duke hequr fusnotën që shoqëronte emërtimin e vendit.
Lajmin e ka bërë të ditur ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, i cili tha se ndryshimi erdhi falë reagimit të qytetarëve dhe angazhimit të vazhdueshëm diplomatik.
Sipas Ajetit, Kosova tashmë paraqitet në mënyrë të barabartë me shtetet e tjera në platformën e institucionit gjerman.
“Ky është një shembull tjetër i qartë se reagimi qytetar dhe diplomacia aktive japin rezultate konkrete,” ka shkruar ambasadori.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo rast ku institucionet apo kompanitë gjermane nuk e paraqesin Kosovën në mënyrë korrekte, duke dërguar dëshmi përkatëse në Ambasadën e Kosovës në Gjermani, në mënyrë që këto raste të adresohen dhe korrigjohen.


