Topi: Ligji 21/24 është një ligj absurd, sepse hap rrugën për ndërtime brenda zonave të mbrojtura

Një dokument zyrtar i Komisionit Evropian ka nxjerrë zbuluar qëndrimin e qeverisë shqiptare në lidhje me ligjet e shumëdebatuara që prekin natyrën dhe investimet. E zeza mbi të bardhë, në faqen 30 të pozicionit të përbashkët të BE-së për Shqipërinë, konfirmohet se palët kanë rënë dakord për tërheqjen e amendamenteve të ligjit 21/24 për zonat e mbrojtura dhe shfuqizimin e ligjit të vitit 2015 për investimet strategjike.

Kjo marrëveshje, e cila ishte arritur paraprakisht edhe përpara nisjes së protestave qytetare, ngre pikëpyetje të forta mbi retorikën aktuale të kreut të qeverisë. Pavarësisht se dokumenti i Brukselit kërkon qartazi anulimin e këtyre nismave ligjore, kryeministri vazhdon të tentojë zbutjen e situatës në sytë e opinionit publik. 

I ftuar në emisionin “Ora e Betit” në “Ora News”,Politologu, Mirjan Topi, u shpreh se kjo lëvizje politike bëhet thjesht për të mbajtur të motivuar mbështetësit qeveritarë, ndërkohë që fati i ligjeve duket i vulosur.

Ligji 21/24 është kundërshtuar ashpër që në krye të herës nga aktivistët e mjedisit, pasi thelbi i tij i hapte rrugën betonizimit dhe ndërtimeve brenda zonave të mbrojtura, duke rrezikuar asgjësimin e trashëgimisë natyrore kryesore të Shqipërisë. Kjo kthesë e detyruar nga ana e institucioneve evropiane konsiderohet një fitore e madhe jo vetëm për protestuesit, por mbi të gjitha për ekspertët dhe mbrojtësit e natyrës që ngritën zërin të parët kundër kësaj nisme absurde.

Megjithatë, një detaj mbetet ende në hije: afati kohor i zbatimit. Ndërsa dakordësia për shfuqizimin është arritur, data e saktë se kur do të ndodhë kjo tërheqje mbetet e mjegullt.

Ajo që është e sigurt dhe e konfirmuar është fakti se kapitulli i mjedisit në negociatat me Bashkimin Evropian nuk do të mund të mbyllet kurrë pa u anuluar përfundimisht këto dy ligje.

Mirjan Topi:"Dokumenti është i qartë, sepse kryeministri e bën këtë gjë, atë e di ai. Po unë mendoj që e bën për arsye për të mbajtur të motivuara atë pjesë të opinionit publik që e besojnë.

Por gjërat janë shkruar shumë qartazi. E zeza mbi të bardhë në dokumentet e publikuara nga Komisioni Evropian, ku vetë Shqipëria ka rënë dakord, pra palët kanë rënë dakord për shfuqizimet e ligjeve përkatëse. Por për fat të keq nuk është rënë dakord, ose së paku ne nuk e dimë, ose kemi informacione të mjegullta, për afatin kohor se kur do të ndodhë shfuqizimi.

Domethënë, ne këtë e kemi thënë qysh në krye të herës. I kemi thënë institucioneve, e kemi kundërshtuar ligjin 21/24 që është në thelb është një ligj absurd, sepse është një ligj i cili ka në thelb të tij hapjen e rrugës të ndërtimeve brenda zonave të mbrojtura që përbëjnë trashëgiminë natyrore kryesore të Shqipërisë."-tha ai.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTE

EMISIONET