Kedhi: Raporti i Yale nuk është sukses i qeverisë, problemet e mjedisit mbeten të pazgjidhura
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Nikola Kedhi, deklaroi se raporti i Universitetit Yale për performancën mjedisore nuk duhet të përdoret si provë e suksesit të qeverisë në mbrojtjen e mjedisit, duke akuzuar Kryeministrin se ka paraqitur vetëm një pjesë të të dhënave.
Sipas Kedhit, megjithëse Shqipëria renditet e 46-ta në botë dhe e para mes vendeve të Ballkanit Perëndimor në indeksin e përgjithshëm, ky rezultat lidhet kryesisht me faktin se vendi prodhon pjesën më të madhe të energjisë elektrike nga hidrocentralet, një avantazh që, sipas tij, ekziston prej dekadash dhe nuk është rezultat i politikave të qeverisë aktuale.
Ai tha se treguesit që lidhen me politikat konkrete mjedisore paraqesin një situatë shumë më problematike. Kedhi përmendi renditjen e Shqipërisë në fushën e bujqësisë, menaxhimit të azotit, suficitit të fosforit, ndotjes nga pesticidet, trajtimit të ujërave të ndotura dhe cilësisë së ajrit, duke argumentuar se këta indikatorë tregojnë mangësi në mbrojtjen e tokës, ujërave dhe mjedisit.
Nënkryetari i PD-së theksoi gjithashtu se renditja aktuale nuk përbën një rekord historik, duke kujtuar se Shqipëria kishte zënë pozicione më të larta në indeksin pilot të viteve 2006 dhe 2008, megjithëse metodologjia e vlerësimit ka ndryshuar ndër vite.
Në deklaratën e tij, Kedhi tha se Shqipërisë i nevojiten investime në impiantet e trajtimit të ujërave, monitorim më efektiv të cilësisë së ajrit, politika të qëndrueshme për bujqësinë dhe mbrojtje më të fortë të zonave të mbrojtura. Ai e cilësoi korrupsionin si pengesën kryesore për mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Në përfundim, Kedhi deklaroi se raporti i Universitetit Yale nuk është një kritikë ndaj potencialit natyror të Shqipërisë, por, sipas tij, pasqyron dështimin e qeverisë në zbatimin e politikave efektive për mbrojtjen e mjedisit.
Deklarata e nënkryetarit të PD, Nikola Kedhi:
Mirëdita.
Propaganda ka një rregull të thjeshtë: merr një fakt të vërtetë dhe fsheh nëntë të tjerë. Pikërisht këtë ka bërë Kryeministri me raportin e Universitetit Yale për performancën mjedisore.
Kryeministri publikoi me entuziazëm se Shqipëria renditet e 46-ta në botë dhe e para mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Shifra është e vërtetë. Historia që Edi Rama ndërton mbi këtë shifër është gënjeshtra.
Indeksi përbëhet nga 47 tregues të ndryshëm. Renditja e Shqipërisë përmirësohet kryesisht sepse pjesën më të madhe të energjisë elektrike e prodhojmë nga hidrocentralet, të cilat ndotin më pak se qymyri apo nafta. Ky është një avantazh që Shqipëria e ka prej dekadash, jo një arritje e kësaj qeverie.
Por sapo kalojmë nga renditja e përgjithshme te komponentët që matin politikat konkrete dhe funksionimin e shtetit, propaganda bie.
Në bujqësi, Shqipëria renditet e 158-ta në botë dhe e 17-ta ndër 19 vendet e rajonit ku na klasifikon Yale. Për menaxhimin e qëndrueshëm të azotit jemi të 150-tët, ndërsa për suficitin e fosforit të 139-tët. Edhe treguesi i rrezikut nga ndotja me pesticide ka shënuar përkeqësim. Këto shifra flasin për dëmtimin e tokës, ndotjen e ujërave, sigurinë ushqimore dhe mungesën e një modeli modern për bujqësinë shqiptare.
Për ujërat e ndotura, Shqipëria renditet e 138-ta në botë dhe e 18-ta ndër 19 vendet e rajonit. Rezultati ynë është vetëm 12.7 pikë, ndërsa mesatarja rajonale është mbi 63 pikë.
Për cilësinë e ajrit renditemi të 88-tët.
Ka edhe një fakt tjetër që e rrëzon përpjekjen për ta paraqitur këtë si një arritje historike.
Në indeksin pilot të vitit 2006, Shqipëria renditej e 55-ta. Në vitin 2008 ishte brenda 30 vendeve të para të botës. Metodologjia ka ndryshuar dhe renditjet nuk mund të krahasohen mekanikisht, por një gjë është e padiskutueshme: vendi i 46-të sot nuk është as një rekord historik dhe as prova e ndonjë mrekullie të qeverisë Rama.
Ne e shohim mjedisin jo si dekor propagandistik dhe as si pengesë ndaj zhvillimit, por si pasuri kombëtare dhe burim zhvillimi ekonomik. Shqipëria ka nevojë për impiante funksionale të trajtimit të ujërave, monitorim real të ajrit, një vizion për bujqësinë që mbron tokën dhe ushqimin, ndihmon realisht fermerët, si dhe për zona të mbrojtura që ruhen nga ligji, jo që copëtohen për interesat e klientëve të pushtetit.
Armiku si i mjedisit dhe i zhvillimit është korrupsioni dhe një shtet që përdor natyrën si pronë të qeverisë.
Propaganda mund të keqpërdorë shifrat në letër. Por nuk mundet kurrë të ndryshojë cilësinë e ajrit që thithim të gjithë përditë, të pastrojë lumenjtë, të mbrojë pyjet apo të shpëtojë biodiversitetin shqiptar kur e kundërta është e vërtet.
Raporti i Yale-it nuk është një aktakuzë ndaj Shqipërisë dhe burimeve të saj natyrore. Është një aktakuzë ndaj dështimit të kësaj qeverie për të mbrojtur mjedisin.
Faleminderit.

