Çipa: SHBA mbetet garant i sigurisë në Ballkan, Kosova duhet të rikthejë afrimin me Uashingtonin
Shtetet e Bashkuara mbeten një faktor kyç për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit, ndërsa rajoni përballet me një situatë të re gjeopolitike. Kështu deklaroi eksperti i çështjeve ndërkombëtare, Akri Çipa, në një intervistë për “Ora News”.
Sipas tij, roli i SHBA-së në Ballkan ka qenë dhe vijon të jetë i rëndësishëm për ruajtjen e stabilitetit, pavarësisht përpjekjeve të disa aktorëve për të krijuar tensione.
“Ballkani ka pasur një vëmendje të veçantë nga Shtetet e Bashkuara për vetë rolin që kanë pasur në rajon dhe që vazhdojnë të kenë. SHBA mbeten një element primar për të garantuar sigurinë”, u shpreh Çipa.
Ai theksoi se përtej aspektit të sigurisë, Uashingtoni ka synuar edhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik me vendet e rajonit, përmes investimeve dhe pranisë së bizneseve amerikane.
Duke komentuar politikën e administratës së presidentit Donald Trump, Çipa tha se qasja e re amerikane është më transaksionale dhe kërkon një angazhim më aktiv nga partnerët.
“Administrata aktuale kërkon një qasje proaktive, jo vetëm mbi bazën e historikut të marrëdhënieve, por edhe mbi interesat e përbashkëta aktuale”, deklaroi ai.
Çipa u ndal edhe te marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, duke thënë se Prishtina duhet të punojë më shumë për të rikthyer afërsinë me Uashingtonin.
Sipas tij, Kosova ka bërë hapa pas në raport me administratën amerikane, ndërsa mungesa e stabilitetit politik ka ndikuar në këtë situatë.
“Shqipëria e ka menaxhuar më mirë këtë situatë në raport me Kosovën, e cila ka humbur deri diku aksesin në një administratë si ajo e Trumpit”, tha eksperti.
Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, Çipa vlerësoi se procesi ndodhet në një ngërç dhe se SHBA-ja tashmë nuk e ka më në qendër të njëjtën mënyrë këtë çështje.
Eksperti i çështjeve ndërkombëtare foli edhe për ndikimin e Rusisë në Ballkan, duke e cilësuar atë si një faktor destabilizues.
Sipas tij, lufta në Ukrainë ka dobësuar ndjeshëm aftësinë e Moskës për të ndikuar në zhvillimet rajonale.
“Rusia sot është në një nga pozitat më të dobëta për të ndikuar drejtpërdrejt në Ballkan”, u shpreh Çipa.
Ai shtoi se strategjia amerikane duhet të vijojë me përpjekjet për të kufizuar ndikimet që bien ndesh me integrimin euroatlantik të rajonit.
Në lidhje me procesin e integrimit në Bashkimin Europian, Çipa tha se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë hapa përpara, por ende mungon një vullnet i qartë politik për zgjerimin e BE-së.
Sipas tij, vitet e ardhshme do të jenë vendimtare për drejtimin gjeopolitik të Europës dhe të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.
Akri Çipa: Po, duke nisur nga kjo e fundit, çështja e sigurisë është një çështje primare në një sistem global që po ndryshon dita-ditës dhe që përballet me shumë vatra konflikti dhe me shumë mjedise të destabilizuara, zona rajonale të cilat janë mjaft konfliktuale. Dhe në rrafshin e sigurisë sigurisht që Ballkani ka pasur një vëmendje të veçantë nga Shtetet e Bashkuara, për vetë rolin që kanë pasur Shtetet e Bashkuara në Ballkan dhe që vazhdojnë të kenë, duke dashur një stabilizim të qartë të rajonit dhe që besoj se është arritur në një pjesë të madhe.
Pavarësisht faktorëve dhe disa elementëve të cilët hera-herës përpiqen të krijojnë destabilizim, ose më së paku në retorikën që përdorin. Gjithsesi, besoj se Shtetet e Bashkuara mbeten një element primar për të garantuar sigurinë e rajonit dhe, nga ana tjetër, sigurisht që rajoni dhe të gjitha vendet kanë një marrëdhënie specifike, mjaft të afërta në rrafshin e sigurisë, duke përfshirë jo vetëm vendet e NATO-s, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, sigurisht Kroacinë, por edhe vende të cilat si Serbia, që më herët kanë pasur dhe vazhdojnë të jenë prishës në raport me fqinjët, kanë në më së paku një element përgjegjshmërie në raport me Shtetet e Bashkuara.
Besoj që kjo është pozitive dhe për vetë rajonin. Përtej çështjes së sigurisë, sigurisht ka pasur një impenjim jo vetëm nga administrata aktuale e presidentit Trump, por edhe administrata e mëparshme e zotit Biden, për të thelluar lidhjet ekonomike dhe tregtare ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të rajonit. Pavarësisht se një treg i vogël dhe i limituar në shumë aspekte, gjithsesi dëshira ka qenë për të parë sa më shumë gjurmë amerikane në rajon në rrafshin e bizneseve dhe mundësive për të bashkëpunuar në fushën tregtare, në mënyrë që të largohet në të njëjtën mënyrë edhe influenca e të tjerëve, ose aktorë të tjerë të cilët mund të jenë më problematikë për qasjen që kanë ndaj rajonit. Sigurisht, por besoj është mjaft e rëndësishme kjo që thatë që marrëdhëniet evoluojnë dhe edhe konteksti rajonal dhe global evoluon.
Administrata aktuale e presidentit amerikan Trump ka një veçanti që është mjaft transaksionale në raport me qasjen që ka, jo vetëm në rrafshin praktik, por edhe në mënyrën sesi përçohen mesazhet nga Uashingtoni. Dhe besoj se kjo ka sjellë disa ndryshime. E shikojmë nëse në kontekstin më të gjerë evropian kemi dhe çarje ose gati-gati përplasje ndërmjet partnerëve që kanë qenë historikisht bashkë, vendet të caktuara evropiane të cilat për fat të keq kanë një cënim të mënyrës sesi është mbarëvajtur marrëdhënia bilaterale me Shtetet e Bashkuara, shpeshherë edhe e personalizuar kjo me sulme verbale nga presidenti Trump, por edhe nga anëtarë të tjerë të administratës së tij.
Besoj se në Ballkan nuk e kemi parë një gjë të tillë dhe ajo që është më e rëndësishmja për kontekstin tonë, për hapësirën shqiptare, sigurisht që nuk ka ndodhur. Thënë kjo, ka një divergjencë në mënyrën sesi ka qenë qasja e Shqipërisë dhe Kosovës kundrejt Shteteve të Bashkuara, dhe besoj se Shqipëria e ka menaxhuar më mirë këtë situatë në raport me Kosovën, e cila ka bërë deri diku hapa pas në qasjen që ka ndaj Uashingtonit zyrtar dhe në aksesin që ka në një administratë si kjo e presidentit Trump që, e theksoj, është mjaft transaksionale dhe e cila kërkon një qasje proaktive, jo vetëm bazuar mbi historikun e marrëdhënieve, por edhe mbi interesat e përbashkëta aktuale dhe mënyrën për të thelluar ato që janë objektivat e përafërta strategjike të të dy vendeve.
Për Kosovën besoj se ka një apati e cila ka ndikuar sigurisht edhe nga fakti që ka pasur zgjedhje të herëpashershme, duke munguar një lloj stabiliteti politik.
Patjetër, mendoj se është e vërtetë kjo që thatë, ka një ndryshim në qasjen kundrejt faktit që dialogu nuk është një prioritet në mënyrën se si ndërtohet mesazhi politik ndaj Kosovës, ndaj Serbisë ose qoftë ndaj rajonit. Për vetë atë që është paqja afatgjatë dhe përmbylljen e një kapitulli të errët që ka filluar me luftën në Kosovë dhe që përfundoi në një farë forme me pavarësinë e Kosovës, por që është ende e panjohur nga Beogradi zyrtar, do të ishte me vend që të arrihej një marrëveshje gjithëpërfshirëse për të përmbyllur konfliktin dhe për të çuar në atë që është normaliteti rajonal, me njohjen reciproke të dy vendeve.
Thënë kjo, Beogradi ka shpeshherë, ka vonuar dhe zvarritur procesin, duke sjellë dhe një lloj status quo-je që ka qenë goxha e dëmshme për Kosovën. Për vetë faktin që një pjesë e aktorëve, le të themi ndërmjetësuesve, specifikisht vendet europiane, filluan ta trajtonin Kosovën si elementin planprishës, si aktorin planprishës dhe aktorin që refuzonte të ecte përpara me hapa konstruktivë në dialog. Që ishte një fakt që nuk përkonte me realitetin dhe sigurisht nuk përkon me qëndrimin destruktiv dhe destabilizues që ka pasur Beogradi që në krye të herës kundrejt Kosovës. Mendoj se Shtetet e Bashkuara në momentin aktual e kanë kaluar këtë moment dhe kjo duket dhe në deklaratat që fare pak fokusohen tek dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, edhe për vetë faktin që është një dialog i cili tashmë prej gati dy vitesh ka rënë në një gjendje amullie dhe ende ndërmjetësuesi i deklaruar, vendet europiane, Bashkimi Europian, ka qenë i paaftë ose edhe me mungesë vullneti për ta riaktivizuar këtë proces.
Në raport me Uashingtonin, Kosova duhet ta shfrytëzonte këtë mënyrë dhe këtë modalitet të ri për të thelluar marrëdhëniet bilaterale, duke i kaluar çdo lloj pengese që mund të ketë qenë më përpara e ngritur mbi formën e mungesës së ecjes përpara në dialog dhe, për fat të keq, besoj se në këtë moment nuk është shfrytëzuar mjaftueshëm për ta realizuar një gjë të tillë. Dhe kjo e pengon në fund të ditës, mendoj, Kosovën, për shkak se krijoi një hapësirë të re bashkëveprimi dhe ndërveprimi diplomatik dhe politik me Uashingtonin që deri më sot ka munguar më së paku në qoftë se e krahasoj me administratën e mëparshme të zotit Biden.
Po, që në krye të herës strategjia e Shteteve të Bashkuara ka qenë e orientuar për të eliminuar këtë influencë që vjen veçanërisht, influencën ruse, e cila ka qenë tejet problematike si në rrafshin politik, në rrafshin energjetik dhe në rrafshin e sigurisë, sigurisht për vetë përpjekjen që ka bërë jo vetëm për të ngritur dhe mbështetur forcat destabilizuese politike në Serbi, por edhe në vende të tjera.
Në Bosnje dhe Hercegovinë për shembull nëpërmjet Republika Srpska-s, dhe nëpërmjet aktorëve të tjerë edhe në vende si Maqedonia dhe Mali i Zi, ku shpeshherë kanë mbështetur forca të cilat bien ndesh me përpjekjen për të stabilizuar rajonin dhe me përpjekjen për të avancuar integrimin euroatlantik të të gjithë këtyre vendeve në Ballkan. Thënë kjo, besoj se në kuadër të luftës në Ukrainë dhe të bjerjes edhe të aftësisë së Rusisë për të ndikuar në tërësi në Europë dhe specifikisht në Ballkan, mendoj se sot për sot Rusia është në një pozitë nga më të dobëtat për aftësinë për të influencuar në mënyrë të drejtpërdrejtë zhvillimet rajonale.
E kemi parë këtë edhe me distancimin e aktorëve politikë të cilët më herët do ishin të paimagjinueshme, parë nga aftësia që kishte Rusia për t'u projektuar në vende si Serbia, ta zëmë, ku influenca ka qenë gjithmonë e lartë dhe pëlqyeshmëria e vetë votuesve ka qenë qartazi e prirur drejt subjekteve më proruse krahasuar me ato proamerikane ose europiane. Në kontekstin aktual besoj se kjo influencë ka rënë edhe në vende si Serbia dhe mendoj se do të ishte e udhës në strategjinë amerikane që të thellohej dhe më shumë përpjekja për t'i shkëputur përfundimisht aftësinë influencuese të Rusisë, e cila, e theksoj, ka qenë një influencë tejet negative për të gjithë rajonin dhe specifikisht, sigurisht, edhe për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Do të ndihmonte patjetër, por për fat të keq kemi një proces integrues i cili është ende i dyshimtë në raport me hapjen ose jo të atyre që janë dyert e Bashkimit Europian për vendet e rajonit. Kemi dy vende si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut që kanë bërë hapa përpara mjaft progresiv në kontekstin e negociatave dhe të hapjes ose mbylljes së kapitujve specifikisht me Bashkimin Europian, por në fund të ditës mungon një vullnet i qartë dhe i artikuluar politik i të gjithë vendeve anëtare për t'i përqafuar fillimisht këto dy vende dhe më pas të gjithë rajonin brenda familjes europiane.
Mendoj se do të jenë përcaktues dy vitet në vijim për vetë drejtimin dhe orientimin gjeostrategjik që do të ndërmarrë Bashkimi Europian dhe praktikisht shpresojmë të jetë përmbyllja e atij që është procesi integrues të vetë Bashkimit Europian dhe plotësimi i familjes europiane me një rajon mjaft strategjik, si nga ana gjeopolitike dhe gjeostrategjike, edhe nga vetë fakti dhe afiniteti europian i rajonit.

