Hoxha: Lëvizja kundër projekteve në zonat e mbrojtura nuk është më protestë, i duhet një organizim afatgjatë
Protestat për mbrojtjen e ekuilibrit natyror në Shqipëri kanë marrë një kthesë të re dhe të fortë, duke kaluar nga sheshet drejt e në dyert e Prokurorisë së Posaçme.
Lëvizja qytetare, e pagëzuar me emrin simbolik "Revolucioni i flamingove", ka përdorur një botim investigativ si bazë për të dorëzuar një kallëzim penal drejtpërdrejt kundër kryeministrit të vendit.
Ky akt pason denoncimet e vazhdueshme kundër investimeve të konsideruara si të rrezikshme dhe të tepruara në zonat më delikate të mbrojtura natyrore.
Për të folur më tepër për këtë temë, i ftuar në emisionin "Ora e Betit", në "Ora News" ishte Artan Hoxha, i cili komentoi kallëzimin në SPAK ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar lëvizjen kundër investimeve të rrezikshme në zonat e mbrojtura si një proces që ka kaluar përtej një proteste të zakonshme.
" Dalja në skenë e këtij botimi mund të ketë qenë ndonjë koincidencë kohore, por nuk i takonte askujt tjetër të shkonte në SPAK me këtë botim si fakt për të bërë një kallëzim penal ndaj kryeministrit, sesa për një përfaqësi të kësaj lëvizjeje, e cila tek e fundit lindi në origjinën e vet nga protestat ndaj investimeve të rrezikshme dhe të tepruara në zonat e mbrojtura. Dhe i gjithë ai botim në fakt për këtë flet.
Të gjitha ato projekte, si rregull, janë kryesisht në zonat më delikate për nga pikëpamja e ekuilibrit natyror në Shqipëri. Dhe këtyre i takonte. Por nga ana tjetër, kjo tregon edhe që lëvizja, kjo protestë që nuk e meriton më emrin protestë, normalisht duhet të meritojë një definicion tjetër... Ky është emri i përveçëm.
Revolucion, lëvizje, por nuk është më thjesht një protestë. Pra ka hyrë në një proces të vijueshëm dhe afatgjatë. Për këtë shkak, asaj i duhen edhe forma organizative që i përshtaten një veprimtarie afatgjatë. Dhe i duhen edhe aksione, akte të mëdha që i japin kapital të vijueshëm për të vijuar përpara, siç ishte rasti i sotëm.
Unë nuk e di domethënë se çfarë do bëjë SPAK-u me këtë fajll, se po të ishte për standardin se ku SPAK-u e ka stekën e ngritjes së një dyshimi të arsyeshëm, Edi Rama do të kishte qenë nja 600 herë sot i akuzuar nga SPAK-u. Por nuk është as edhe një herë. Kështu që nuk do ta ndaja dot optimizmin ende që SPAK-u do vijë në nivelin që të ngrejë ndonjë akuzë konkrete kundra kryeministrit. Që për mua duhet të ishte fillimi, jo fundi. Se aty fillon, se aty është hyrja e rekordit. Ideja te niveli i zëvendëskryeministrave, kanë arritur edhe prokurorët e mëparshëm", u shpreh Hoxha.
Ndiqni emisionin e plotë:

