Çfarë ndodhi në PE? Vengu: Kishim konsesus kombëtar, opozita tregoi mungesë të përgjegjshmërisë shtetërore

Çfarë ndodhi në PE? Vengu: Kishim konsesus kombëtar,

Pas mbledhjes së Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri–Bashkimi Evropian në Strasburg, ku u votuan rekomandimet në mbështetje të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe ku deputetët e Partisë Demokratike votuan kundër, deputeti Pirro Vengu ka reaguar nga Strasburgu, ku theksoi se sjellja e deputetëve të opozitës është mungesë e përgjegjshmërise shtetërore, teksa bëjnë politikë variabël sipas interesave të ditës.

"Gjendemi prej dy ditësh në Parlamentin Europian në Strasburg si pjesë e takimeve që ndodhin dy herë në vit midis parlamentarëve europianë dhe parlamentarëve shqiptarë. Quhet Komiteti i Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE. Në këtë komitet zakonisht përgatiten tekste dhe rezoluta që qartësojnë ecurinë e Shqipërisë përkundrejt detyrimeve që ka kundrejt BE-së.

Fatkeqësisht kishim të bënim me një situatë paksa paradoksale, do të thoja unë, sepse ne këtu përfaqësojmë Shqipërinë, qofshin deputetë të opozitës apo të pozitës, apo edhe institucionet. Fatkeqësisht pamë që kolegët e opozitës jo vetëm kundërshtuan amendamentet tona, por kundërshtuan amendamentet që përbënin konsensus edhe për parlamentarët europianë. Shoh një kompleks, do të thoja unë, ndoshta nga zhvillimet e muajit të fundit në Shqipëri dhe një mungesë përgjegjshmërie shtetërore, sepse në fund të fundit, siç e thashë, ne jemi deputetë të Republikës së Shqipërisë.

Amendamentet njihnin progresin e Shqipërisë në disa fusha, sikundër njihnin edhe problematikat e saj në fusha të tjera. Njihnin rezolutat e mëparshme të Parlamentit Europian, njihnin edhe rezolutën që ju e mbani mend para pak javësh në Parlamentin shqiptar, të cilën opozita dhe pozita e miratuan me konsensus. Kur duhet konsensus në parlamentin tonë ne arrijmë ta bëjmë, kur jemi jashtë shtetit opozita nuk arriti ta mbështesë këtë konsensus.

Siç ju thashë, amendamente identike që ishin miratuar në Parlamentin shqiptar, në rezolutën e miratuar me konsensus mes pozitës dhe opozitës, u refuzuan sot në Parlamentin Europian. Kjo është praktikisht një politikë variabël sipas ritmit të ditës apo përparësive të ditës.

Më vjen dyfish keq, sepse kishte shumë amendamente të cilat Partia Socialiste i miratoi, ishin propozime të kolegëve demokratë. Ne i miratuam, pra e bëmë atë dorën e shtrirë, pikërisht sepse jemi të vetëdijshëm që procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian është një proces me sfida, është një proces ku kemi ende problematika reale për të adresuar dhe nga ana tjetër prisnim që këtë konsensus ta gjenim edhe nga kolegët e opozitës, e aq më tepër që kishim miratimin e gjerë të të gjithë spektrit politik të parlamentarëve europianë, nga e djathta ekstreme tek e majta ekstreme. Është i pakuptimtë ky qëndrim i kolegëve të opozitës", u shpreh Vengu për Euronews Albania.

EMISIONET