VIDEO/ Deputetët e PD-së: Faleminderit eurodeputetëve për mbështetjen, keqardhje për kolegët e PS-së
Deputetët e PD në Parlamentin Europian: "Faleminderit eurodeputetëve për mbështetjen. Keqardhje për deputetët e PS-së, të cilët vazhduan me të njëjtën qasje, duke i shërbyer interesit të ngushtë partiak e personal, në vend të interesit të Shqipërisë dhe të qytetarëve shqiptarë".
DEKLARATË E ANËTARËVE TË OPOZITËS NË KOMISIONIN E PËRBASHKËT BE-SHQIPËRI
Faleminderit eurodeputetëve që mbështetën me votën e tyre qëndrimet e opozitës në Komitetin e Stabilizim-Asociimit në Parlamentin Europian, të pasqyruara në 35 amendamente konkrete. Mbështetja e tyre është një dëshmi e qartë se integrimi europian nuk ndërtohet mbi propagandën, por mbi reforma të vërteta, rezultate konkrete dhe përgjegjësi institucionale.
Miratimi i këtyre amendamenteve nga eurodeputetët përcjell një mesazh të qartë: Europa nuk pranon ligje vetëm në letër dhe as një integrim fasadë. Ajo kërkon shtet ligjor, konkurrencë të ndershme, mbrojtje të pronës, drejtësi të pavarur dhe institucione që u shërbejnë qytetarëve.
Keqardhje për deputetët e PS-së, të cilët zgjodhën të vazhdojnë me të njëjtën qasje, duke vendosur veton për të penguar miratimin e këtyre amendamenteve dhe duke i shërbyer interesit të ngushtë partiak e personal, në vend të interesit të Shqipërisë dhe të qytetarëve shqiptarë.
Shqipëria nuk ka nevojë për një sistem që punon për pakicën, por për një shtet që punon për shumicën. Integrimi europian nuk duhet të mbetet një slogan propagandistik, por të shndërrohet në mirëqenie, siguri dhe mundësi më të mira për çdo qytetar shqiptar.

