Aeroporti i Vlorës/ Pacolli reagon pas vendimit të Gjykatës së Lartë: Besimi te drejtësia nuk është lëkundur

Aeroporti i Vlorës/ Pacolli reagon pas vendimit të Gjykatës

Biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar për situatën e krijuar rreth Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, duke kundërshtuar masat e sigurimit që, sipas tij, sollën bllokimin e projektit dhe kufizuan të drejtat e kompanisë MABCO Construction SA si aksionere shumicë.

Në një reagim publik, Pacolli u shpreh se një seri masash sigurie të marra që nga tetori i vitit 2025 ndaj shoqërisë MABCO Construction SA dhe projektit të Aeroportit të Vlorës sollën pasoja të rënda për zhvillimin e punimeve.

Sipas tij, Gjykata e Lartë më pas i ka shfuqizuar këto masa, duke i konsideruar në kundërshtim me ligjin. Pacolli tha se MABCO, e cila zotëron 98% të kuotave të shoqërisë VIA sh.p.k., u pengua për muaj të tërë të ushtronte të drejtat që i takojnë si aksionere shumicë.

Ai e cilësoi këtë situatë si një rast të pazakontë në praktikën e së drejtës tregtare, ku një kompani që zotëron pjesën më të madhe të kapitalit është përjashtuar nga administrimi përmes masave që më vonë janë rrëzuar nga gjykata më e lartë.

Pacolli u shpreh se gjatë kësaj periudhe u penguan punimet dhe hyrja e specialistëve të MABCO-s dhe nënkontraktorëve në aeroport, duke sjellë vonesa dhe dëme ekonomike, financiare dhe reputacionale.

Ai bëri të ditur se për pasojat e krijuara do të ndiqen rrugët ligjore dhe se përgjegjësit do të mbajnë përgjegjësi sipas ligjit.

Në reagimin e tij, Pacolli u shpreh se besimi i tij te drejtësia nuk është lëkundur dhe se institucionet që respektojnë ligjin do të vijojnë punën me profesionalizëm dhe paanshmëri.

“Drejtësia mund të vonojë, por kur vepron mbi bazën e ligjit dhe të fakteve, ajo triumfon”, shkroi Pacolli.

EMISIONET