Charli D’Amelio rrëfen periudhën e vështirë: Shëndeti im mendor është përkeqësuar, kam nevojë për terapi

Ylli i TikTok, Charli D’Amelio, ka bërë një rrëfim të sinqertë për periudhën e vështirë që po kalon, duke pranuar se shëndeti i saj mendor është përkeqësuar teksa përballet me sfidat e jetës në të njëzetat.
Në një video të publikuar në kanalin e saj në YouTube, 22-vjeçarja foli hapur për presionin që ndien, nevojën gjithnjë e më të madhe për terapi dhe vështirësinë për të marrë vendime si e rritur.
Ndiej se shëndeti im mendor është përkeqësuar. Me kalimin e viteve kam kuptuar se kam pasur gjithnjë e më shumë nevojë për terapi, sepse tani për herë të parë jam plotësisht përgjegjëse për jetën time dhe për vendimet që marr-u shpreh ajo.
Charli tregoi se një nga gjërat më të vështira në këtë etapë të jetës është mungesa e një personi që ta udhëzojë.
Do të doja të kisha një mentor ose dikë që të më ndihmonte ta kuptoja më mirë këtë fazë të jetës. Ndonjëherë ndihem sikur po përpiqem ta zbuloj gjithçka vetë-tha influencuesja.
Pavarësisht sfidave emocionale, ajo u shpreh optimiste për rikthimin në YouTube pas një pauze katërmujore, duke thënë se dëshiron të krijojë një lidhje më të sinqertë me ndjekësit e saj.
Deklaratat e saj vijnë në një kohë kur në rrjetet sociale kanë qarkulluar spekulime për një krisje në marrëdhëniet me prindërit.
Aludimet nisën pasi fansat vunë re se anëtarët e familjes nuk e ndiqnin më njëri-tjetrin në Instagram, ndërsa Charli u largua edhe nga biznesi familjar “Be Happy Snacks”.
Pa hyrë në detaje, ajo pranoi se muajt e fundit kanë qenë shumë të ndjeshëm.
Ka qenë një periudhë shumë emocionale për mua. Kur të vijë momenti i duhur, do të flas më shumë për gjithçka që ka ndodhur-u shpreh ajo.
Charli theksoi se vendosi të flasë publikisht për shëndetin mendor sepse beson se hapja ndaj këtyre temave mund të ndihmojë edhe të tjerët.
Dua të jem e hapur për shëndetin mendor, sepse shpresoj që historia ime t’i ndihmojë njerëzit që po kalojnë periudha të vështira të mos ndihen vetëm-tha ajo.
Ndërkohë, babai i saj, Marc D’Amelio, ka mohuar zërat për një përçarje në familje, duke deklaruar se ata vazhdojnë ta duan dhe ta mbështesin Charlin dhe se situata është keqkuptuar nga publiku.

