Damiano Toshi shpëton nga burgimi i përjetshëm, ja sa vite burg caktoi gjykata e Elbasanit për vr*sjen e dy basketbollistëve

Damiano Toshi, një nga emrat më të njohur të bandës së “5 Dyqaneve”, i ka shpëtuar dënimit me burgim të përjetshëm dhe mund të dalë së shpejti nga burgu, pas vendimit të fundit të Gjykatës së Elbasanit.
Gjykata ka shpallur vendimin përfundimtar ndaj Toshit, duke e dënuar me 25 vite burg.
Ulja e dënimit erdhi pasi u pranua kërkesa për gjykim të shkurtuar, çka solli rrëzimin e dënimit të mëparshëm me burgim të përjetshëm.
Vendimi i Gjykatës së Elbasanit erdhi pas rigjykimit të çështjes, i urdhëruar nga Gjykata e Lartë.
Më herët, kjo gjykatë kishte prishur vendimin që e dënonte Toshin me burgim të përjetshëm dhe kishte kthyer dosjen për shqyrtim të ri.
Damiano Toshi u shpall fajtor për vrasjen e dy basketbollistëve të ekipit të “Skënderbeut”, Sokol Jahollari dhe Rafael Rizani, si dhe për plagosjen e Julian Beckës.
Ngjarja ndodhi më 3 shtator 2004 pranë Pallatit të Sportit në Korçë dhe konsiderohet një nga episodet kriminale më të rënda të asaj periudhe.


