Lufta "godet" jetesën në Gjirin Persik, Dubai dhe Abu Dhabi bien në renditjen botërore të qyteteve më të mira...

Për një kategori të caktuar njerëzish, Dubai i kishte të gjitha: qendra të mëdha tregtare me ajër të kondicionuar, shkolla të mira për fëmijët, pak reshje dhe taksa edhe më të ulëta.
Para luftës me Iranin, ishte gjithashtu jashtëzakonisht i sigurt. Por kohët e fundit, qytetet në të gjithë rajonin e Gjirit janë bërë shumë më pak tërheqëse për të huajt që jetojnë dhe punojnë atje. Në fakt, sipas indeksit vjetor “Economist Intelligence Unit”, asnjë rajon tjetër nuk ka pësuar një rënie kaq të madhe të cilësisë së jetesës këtë vit.
Renditja është hartuar për t’i ndihmuar departamentet e burimeve njerëzore të llogarisin shtesat për vështirësi për punonjësit e dërguar jashtë vendit. Ajo vlerëson 173 qytete në pesë kategori: kujdesi shëndetësor, kultura dhe mjedisi, arsimi, infrastruktura dhe stabiliteti.
Qyteti më i jetueshëm në botë këtë vit? Kopenhagën, e cila mund të festojë vitin e dytë radhazi në krye të renditjes. Vjena dhe Melburni renditen shumë pranë saj.
Vankuveri, në vendin e nëntë, është i vetmi qytet i Amerikës së Veriut që hyn në dhjetëshen e parë, ndërsa Tokio, në vendin e dhjetë, është i vetmi megaqytet që arrin të përfshihet. Rrugët e mbingarkuara dhe kriminaliteti priren t’i penalizojnë qytetet më të mëdha në këtë indeks.
Damasku, kryeqyteti i Sirisë i shkatërruar nga lufta, mbetet në fund të renditjes, ku ndodhet që prej vitit 2013. Teherani, një tjetër kryeqytet i goditur rëndë nga lufta, ra me dy vende dhe hyri në dhjetëshen e fundit. Të gjitha rëniet më të forta të këtij viti u shënuan në Lindjen e Mesme.
Pas një serie sulmesh me dronë iranianë, Maskati ra me 14 vende, në pozicionin e 123-të, duke shënuar rënien më të madhe nga të gjitha qytetet. Doha, një qendër tërheqëse për të huajt, humbi shtatë vende dhe zbriti në pozicionin e 108-të. Dubai dhe Abu Dhabi ranë secili me nga katër vende, përkatësisht në pozicionet e 79-të dhe të 76-të.
Kina kryesoi për sa u përket përmirësimeve. Pas vitesh investimesh publike, çdo qytet kinez i përfshirë në indeks përmirësoi vlerësimin për kujdesin shëndetësor. Përmirësimet përfshijnë zgjerimin e mbulimit shëndetësor dhe përparimin drejt objektivit të qeverisë që çdo banor të ketë qasje në shërbime mjekësore brenda 15 minutash në këmbë.
Qendrat tregtare kineze madje rivalizojnë edhe ato të Dubait. Megjithatë, renditjen e vendit e pengojnë kultura e mbikëqyrjes dhe problemet mjedisore. Kina është gjithashtu një nga vendet e renditura më poshtë në indeksin e demokracisë të EIU-së.
Nuk ka gjasa që së shpejti të tërheqë një fluks perëndimorësh që kërkojnë t’u shmangen taksave. /Monitor

