KOMISIONI ZGJEDHOR NIS ME DEBATE/ Opozita kërkon shtyrjen e mbledhjes pa drejtorin e Policisë: Procesi zgjedhor u dëmtua

KOMISIONI ZGJEDHOR NIS ME DEBATE/ Opozita kërkon shtyrjen e mbledhjes pa

Mungesa e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në seancën dëgjimore të Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore solli përplasje mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Diskutimi u përqendrua te roli i policisë gjatë procesit zgjedhor të vitit 2025 dhe kërkesat për një raportim nga drejtuesit më të lartë të institucionit.

Përfaqësuesit e opozitës kërkuan që në mbledhje të ishte i pranishëm Drejtori i Policisë së Shtetit, duke argumentuar se çështjet e ngritura lidhen drejtpërdrejt me përgjegjësitë e drejtimit të institucionit.

Deputeti Oerd Bylykbashi kërkoi praninë e drejtuesit të Policisë, duke ngritur shqetësime për veprimet e policisë gjatë zgjedhjeve dhe ndikimin që ato mund të kenë pasur në proces.

"Duhet të kishte ardhur drejtori i Policisë së Shtetit. Policia ka qenë problem gjatë periudhës së zgjedhjeve. Ka veprime që krijojnë probleme në fushën e zgjedhjeve dhe për këtë duhet të japë përgjigje drejtori."-u shpreh deputeti.

Edhe deputeti demokrat Gent Strazimiri kërkoi që dëgjesa të shtyhej deri në mbërritjen e drejtuesit të Policisë, duke thënë se çështjet e diskutuara kërkojnë përballje nga personi përgjegjës për institucionin.

"Drejtori i Policisë nuk mund ta delegojë fjalën e tij. Ai është personi i duhur dhe duhet të përballet me rëndësinë që kanë këto çështje. Kemi momente konkrete kur policia ka qenë e paqenë gjatë procesit zgjedhor."-tha ai.

Nga ana tjetër, drejtuesi i komisionit, Damian Gjiknuri, mbrojti praninë e përfaqësuesit të dërguar nga Policia e Shtetit, duke kujtuar se Sokol Bizhga ka pasur rol në procesin zgjedhor.

"Bizhga ka njohuri sepse ka qenë ndër vite pjesë e Policisë së Shtetit. Nëse dëshironi, edhe mund ta ndërpresim mbledhjen, por drejtori nuk ka detyrim të vijë të raportojë."-shtoi ai.

Sokol Bizhga, i pranishëm në seancë, sqaroi arsyen e mungesës së drejtuesit të Policisë, duke bërë me dije se ai kishte qenë personi i ngarkuar për procesin zgjedhor të vitit 2025.

"Drejtori nuk ka ardhur, sepse në të dyja rastet kam qenë unë i ngarkuar për procesin zgjedhor 2025."-u shpreh Bizhga.

Debati vijoi me kërkesën e deputetes Albana Vokshi që mbledhja të mos vazhdonte pa praninë e drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit, përfshirë drejtorin e përgjithshëm, nëndrejtorin dhe drejtuesit vendorë.

"Propozoj të mos e vijojmë mbledhjen. Të vijë Drejtori i Përgjithshëm, nëndrejtori dhe drejtorët e qarqeve. Kemi shumë pyetje. Policia ka qenë inekzistente."-theksoi Vokshi.

Mbledhja u shoqërua me debate për mënyrën e raportimit dhe përgjegjësitë institucionale për administrimin e procesit zgjedhor, ndërsa opozita kërkoi që dokumentet dhe raportet përkatëse t’u vihen në dispozicion komisionit.

 

EMISIONET