"Albanian Files" në SPAK/ Kapri: Drejtësia duhet të hetojë nivelet më të larta, Prokuroria e Posaçme ka ende një mision për të përmbushur

I ftuar në emisionin "Ora e Betit", në "Ora News", ishte deputeti Erald Kapri, i cili komentoi dosjen e dorëzuar në SPAK, "Albanian files".

Sipas tij kjo dosje ka nxjerrë në dritë akuza tronditëse që lidhin drejtpërdrejt emrin e kryeministrit me miratimin abuziv të projekteve gjigante të ndërtimit në kryeqytet.

Sipas të dhënave të publikuara nga "Albanian Files", kreu i qeverisë dyshohet se po anashkalon çdo procedurë ligjore dhe konkurs ndërkombëtar, duke vepruar si një kryetar i vetëshpallur jurie.

"Mbasi aktivistët e protestës e çuan në SPAK, unë kam bërë dhe një reagim në lidhje me këtë çështje, kam lexuar me mjaft vëmendje Albanian Files.

Dhe mora një rast konkret, ishte shumë domethënës. Një nga arkitektët më të njohur në botë, Alejandro Aravena, që është i një studio të njohur kiliane, thoshte në libër: Më ka telefonuar personalisht kryeministri. Që të vij këtu të bëj një projekt. E kuptoni?

Ka ardhur zotëria, ka bërë projektin. Rama ka bërë pa konkurs ndërkombëtar, vetë kryetar jurie, dhe ia ka miratuar projektin.

Për kullë 300 metra të lartë në qendër të Tiranës. Pra, kullë 140-300 metra e lartë në Tiranë. Pra, kjo është akuzë e drejtpërdrejtë.

Domethënë kryeministri vendos këtu se kush do vijë arkitekti, kush do e fitojë projektin, kush do jetë investitori, do përcaktojë edhe lekët e të gjitha. 

Dhe në një nga reagimet që ai pati gjatë konfrontimit që pati kryetari i partisë Lëvizja Bashkë dhe unë në parlament me Ramën, ishte pikërisht raporti i tij me drejtësinë dhe ia përmendëm.

Që ti do përballesh me drejtësinë. Dhe kjo e shqetësonte dhe reagonte, "Pse do përballem unë me drejtësinë" thoshte.

Ai duket që është tashmë një kryeministër që e ka humbur busullën e vet përderisa ka arritur deri në fazën që po denigron personalisht protestuesit.

Ku do shkojë më pas kësaj? Kështu që ne presim që drejtësia të bëjë rolin e vet. SPAK-u ka bërë një punë për t'u lavdëruar deri tani me shumë prej dosjeve, por siç e kemi thënë publikisht, e kam thënë dhe këtu në studion tuaj dhe e them sërish, nëse SPAK-u nuk merr nën akuzë Edi Ramën, nuk e ka përfunduar misionin e vet historik. Pra vetëm marrja nën akuzë e kryeministrit realisht do përmbyllte punën.", u shpreh Kapri.

Ndiqni emisionin e plotë:

EMISIONET