“11 kallëzime dhe heshtje totale”/ Maliqi 'shpërthen': Pushteti lokal është marrë peng, drejtësia nuk vepron

I ftuar në studion e Ora News, Lefter Maliqi, ka folur për situatën politike dhe institucionale në vend, duke ngritur akuza për mënyrën e funksionimit të pushtetit lokal, sigurisë dhe drejtësisë.

Maliqi ka bërë një panoramë kritike të zhvillimeve në vend, duke u ndalur te pushteti vendor, kriminaliteti, tenderët, koncesionet dhe roli i institucioneve të drejtësisë.

Sipas tij, problemet e krijuara në këto fusha lidhen me një përqendrim të madh të pushtetit dhe mungesën e kontrollit institucional.

Gjatë intervistës, Maliqi u ndal te situata e sigurisë, duke e lidhur rritjen e ngjarjeve kriminale me dobësimin e strukturave të hetimit dhe parandalimit.

“Policia kriminale është jashtë misionit të saj, që është parandalimi i krimit, zbulimi dhe dokumentimi. Prandaj ndodhin ngjarje herë pas here. Kemi një pasiguri totale”, u shpreh Maliqi.

Sipas tij, vendi po përballet me një numër të madh skandalesh që lidhen me tenderë, pastrim parash dhe trafiqe, ndërsa institucionet nuk po japin përgjigjen e duhur.

“Kemi tendera korruptivë pa masë, pastrim parash, trafiqe nga më të ndryshmet të drogës brenda dhe jashtë vendit, dhe skandale të panumërta, miliona e miliona euro me PPP-të e famshme”, tha ai.

Ish-drejtuesi vendor u ndal edhe te organizimi i pushtetit lokal, duke e cilësuar hartën territoriale si një faktor që sipas tij ka ndikuar në dominimin e mazhorancës.

“Pushteti lokal nuk vjen dot në pushtetin qendror. Kam qenë vetë drejtues vendor, me një komunë, dhe dhurova një mandat deputeti. Është shumë e vështirë t’ia marrësh pushtetin lokal, sepse njerëzit sytë i kanë te pushteti lokal”, u shpreh Maliqi.

Ai shtoi se sipas tij pushteti vendor është përqendruar në duart e një force politike dhe opozita nuk ka pasur hapësirën e duhur në këtë proces.

Në intervistë, ai kritikoi edhe gjendjen në sektorët kryesorë të vendit.

“Shëndetësia ka dështuar, arsimi ka dështuar, bujqësia ka dështuar dhe turizmi po dështon për shkak të shitjes që po i bëhet pjesëve të bregdetit”, tha Maliqi.

Sipas tij, ekonomia dhe vendimmarrja publike janë ndikuar nga interesa të mëdha private.

“Këtu kemi vetëm oligarkë, banditë, njësh me kryeministrin, dhe një drejtësi, në thonjëza, SPAK-u i famshëm”, u shpreh ai.

Maliqi foli edhe për përplasjet e tij me institucionet e drejtësisë, duke përmendur kallëzime penale të bëra ndër vite.

“Unë e them i kapur totalisht sepse, meqë kam qenë drejtues policie, drejtues vendor, drejtues i burgjeve, kam bërë rreth 11 kallëzime për një bashki dhe nuk kam parë reagim”, tha ai.

Sipas tij, mungesa e reagimit nga institucionet ka krijuar bindjen se disa çështje nuk po marrin trajtimin e duhur ligjor.

EMISIONET