"Kështu nis një histori dashurie!"/ Barack dhe Michelle Obama tregojnë si duhet të jetë takimi perfekt

Pas më shumë se tre dekadash së bashku, Barack dhe Michelle Obama vazhdojnë të ndajnë momente të ëmbla nga historia e tyre e dashurisë. Me rastin e promovimit të Qendrës Presidenciale Obama në Çikago, çifti zbuloi me humor se cili, sipas tyre, është sekreti i një takimi të parë të suksesshëm.
"Unë dhe Barack shkuam në një muze në takimin tonë të parë", shkroi Michelle Obama në një postim në Instagram. "Prandaj na besoni: kampusi i Qendrës Presidenciale Obama ka atmosferën e duhur për ju dhe partnerin tuaj."
Postimi u shoqërua me një video ku të dy flasin për vendin, i cili u hap për publikun në fillim të qershorit. Kompleksi, i ndërtuar në anën jugore të Çikagos, përfshin parqe publike, hapësira për evente, një bibliotekë dhe një muze.
Në video, Michelle thotë se një vend i tillë do të kishte qenë perfekt edhe për takimin e tyre të parë.
"Do të mendoja: 'Ky është një djalë vërtet interesant'", tha ajo.
Madje, ish-Zonja e Parë e cilëson Qendrën Presidenciale si "një mjedis seksi", duke shtuar se ka "patjetër atmosferë për pasion". Ajo veçon edhe instalacionet artistike dhe divanet e rehatshëm, ku, sipas saj, çiftet mund të bisedojnë gjatë dhe të njohin më mirë njëri-tjetrin.
"Është një mundësi e mirë për të kuptuar nëse personi me të cilin po dilni di diçka për botën", thotë Michelle me humor.
Edhe Barack dha sugjerimin e tij romantik, duke rekomanduar që çiftet të marrin një pije dhe më pas të ulen në lëndinën e kompleksit.
"Nuk ka asgjë më romantike sesa të ulesh në lëndinë me një batanije", u shpreh ai.
Në një intervistë të fundit për revistën PEOPLE, Michelle Obama foli edhe për sekretin e marrëdhënies së tyre, duke theksuar se ata plotësojnë njëri-tjetrin.
"E vërteta është se ndoshta do të isha një person që do të qëndronte më shumë në zonën e rehatisë. Do të kisha një jetë të bukur, por më të kufizuar", tha ajo.
Sipas Michelle, Barack ka qenë gjithmonë njeriu që e ka shtyrë të besojë më shumë te vetja dhe te mundësitë e saj.
"Ai më dha kurajë. Ishte mbështetja ime. Pavarësisht uljeve dhe ngritjeve, ai ishte gjithmonë aty për mua", përfundoi ajo.


