Polifonia shqiptare në filmin “Odisea”/ Tole: Fragmente të trashëgimisë sonë u trajtuan si objekte të arkeologjisë muzikore

Polifonia shqiptare në filmin “Odisea”/ Tole: Fragmente të

Muzika e lashtë shqiptare, posaçërisht polifonia me iso e Jugut, ka arritur të prekë majat e kinematografisë botërore duke u bërë pjesë e kolonës zanore të superproduksionit të ri me regji të Christopher Nolan dhe kompozitor Ludwig Göransson.

Ky bashkëpunim i jashtëzakonshëm filloi si një enigmë, kur stafi i kompozitorit të famshëm kontaktoi përmes emailit ekspertin më të mirë të isopolifonisë në Shqipëri.

I ftuar në emisionin "Ora e Betit", në Ora news, akademiku dhe studiuesi Vaso Tole, u shpreh se arsyeja e këtij kontakti ishte nevoja për të zbërthyer kompleksitetin e polifonisë shqiptare, e cila, për shkak të strukturës së saj me shumë zëra, është tepër e vështirë për t'u deshifruar nga të huajt.

Gjithçka u mbajt në një fshehtësi absolute. Gjatë procesit të xhirimeve asnjë telefon nuk lejohej në sheshxhirim, ndërsa etnomuzikologu shqiptar u detyrua të nënshkruante një marrëveshje të rreptë konfidencialiteti, e cila e ndalonte të zbulonte detaje deri në premierën e filmit.

" Kjo është një enigmë edhe për mua. Domethënë, sepse zakonisht njerëzit kur kanë kështu situata të tilla që tërheqin vëmendjen, fillojnë edhe sajojnë nga pak.

Enigmë në kuptimin që të them për shembull se çfarë saktësisht. Tani, mund të ketë ardhur prej, sigurisht, prej publikimeve të mia, mund të ketë ardhur prej krijimtarisë sime, mund të ketë ardhur prej kontakteve që Goranssoni ka patur në Shqipëri dhe ka pyetur kur ka ardhur puna që, dakord, i regjistrova, po si zbërthehet? Se polifonia është diçka jo aq e thjeshtë për t'u kuptuar, sepse për shkak të strukturës të shumë zërave. Domethënë, ndonjëherë nuk arrin dot të kuptosh çfarë ndodh, si është rendi i gjërave në këtë çështje muzikore të shqiptarëve në këtë rast. Dhe pavarësisht kësaj, mua më kanë kontaktuar stafi i tij përmes emailit, ku më shpjeguan që bëhet fjalë për një diçka jo të zakonshme. Kuptohet, nuk u përmend fare ideja e Odisesë në fillim kur kemi kontaktuar, më kanë kontaktuar. Por më thanë që duam që të asistosh kompozitorin me ekspertizën tënde sa i përket, le të themi, kuptimit të origjinës së polifonisë me iso.

Jo vetëm kaq, po edhe pasi ai u bind që unë isha njeriu i duhur që mund t'i mund ta asistoja për ekspertizën që kërkoi. Edhe në atë dokumentin që quhet një marrëveshje konfidencialiteti, pasi u bë e qartë sepse filloi të përmendej gjatë komunikimit që nënshkrova, ishte e detyrueshme që deri në momentin që filmi të shfaqej, dhe unë s'kam folur për atë datë e saktë në të korrik, e kupton, duhet që të mbahej kjo marrëveshje.

Edhe në fakt mua s'është se më ka interesuar që të bëj ndonjë publicitet, sepse ajo që mua më interesonte ishte që ta bëja sa më mirë këtë detyrë, që t'i, në thonjëza, t'i imponohesha Goranssonit duke i thënë: shiko, je në vendin e duhur, në zgjedhjen e duhur, sepse tingull më antik, parafetar dhe më origjinal dhe më arkaik se sa polifonia me iso e Shqipërisë së Jugut, nuk ke për të gjetur. Dhe jam i gëzuar që në një lloj kuptimi gjithë interesi i tij dhe gjithë kjo zgjedhje që ai bëri besoj ka edhe atë pjesën e isos sime brenda suksesit.

Ajo që është një tjetër gjë që, si me thënë, i jep një hapësirë tjetër kësaj marrëdhënie të Goranssonit dhe të gjithë këtij produksioni hollivudian me trashëgiminë tonë është që muzika e filmit do të publikohet në vete në datën 30 korrik, në albume të veçanta pra që do t'i kushtohet, dhe aty në këtë botim kam edhe unë një tekst të shkruar ku shpjegoj akoma më mirë përmes gjuhës tashmë shkencore se sa e rëndësishme dhe si duhet kuptuar përdorimi i trashëgimisë muzikore të polifonisë me iso të Shqipërisë së Jugut në filmin e Goranssonit.

Dhe kryefjala e kësaj është: citimi dhe sjellja e materialeve origjinale në film është njësoj si të sjellësh disa objekte të arkeologjisë muzikore në realitetin filmik. Do të thotë, aq siç është një objekt arkeologjik që flet me lashtësinë e vet dhe me bukurinë e vet, po ashtu konsiderohen objekte të arkeologjisë muzikore edhe këto fragmente të marra prej realitetit muzikor shqiptar dhe të futura në film. Dhe fakti është që këto përmenden prej autorëve të filmit në dokumentet më kryesore. Pra, si kjo që ju përmendët, si në titrat e filmit, apo dhe te ky dokument që do të promovojë muzikën, është gjëja më e mirë që pjesa e Shqipërisë do të njihet tashmë në një nivel të panjohur më parë në botë", u shpreh Tole.

Ndiqni emisionin e plotë:

EMISIONET