114 vite nga Flamuri në Gurin e Kamjes, historia e 800 luftëtarëve që ngritën simbolin e lirisë në Pogradec

Më 28 korrik përkujtohet 114-vjetori i ngritjes së Flamurit shqiptar te Guri i Kamjes, një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e krahinës së Gorës. Vetëm pak muaj përpara shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, qindra luftëtarë nga këto treva u bashkuan për të çliruar zonën nga pushtimi xhonturk.

Nën drejtimin e kapedanit Kajo Babeni, së bashku me Shahin Matrakun dhe prijës të tjerë, rreth 800 luftëtarë nga Gora, Mokra dhe Opari u mblodhën te Lisi i Gorarëve, prej nga nisën aksionin për rrethimin dhe çlirimin e Pogradecit.

Pas kësaj fitoreje, Kajo Babeni ngriti Flamurin shqiptar te Guri i Kamjes, duke e kthyer këtë vend në një simbol të lirisë dhe të qëndresës patriotike.

”Në verën e vitit 1912, katër muaj përpara ngritjes së Flamurit të Pavarësisë në Vlorë, krahinat e Gorës dhe të Mokrës u bënë pjesë e përpjekjeve për çlirimin e vendit nga pushtimi osman.

Nën drejtimin e kapedanëve të njohur të kësaj treve, me në krye Kajo Babenin, së bashku me Shahin Matrakun dhe shumë kapedanë të tjerë, u mblodhën rreth 800 luftëtarë nga Gora, Mokra dhe zona të tjera të qarkut të Korçës.

Më 28 korrik 1912, në vendin e quajtur Lisi i Gorarëve, rreth një kilometër më poshtë, luftëtarët u bashkuan dhe rrethuan Pogradecin me synimin për ta çliruar nga pushtimi osman.

Pas çlirimit të Gorës, kapedani Kajo Babeni ngriti Flamurin shqiptar te Guri i Kamjes, duke shënuar një nga momentet më të rëndësishme historike për krahinën e Gorës dhe për Pogradecin. Kjo ngjarje përkujtohet si festa e ngritjes së Flamurit dhe e çlirimit të kësaj treve nga xhonturqit.”-tregoi Bexhet Fezolli, banor i zonës.

Kajo Babeni mbetet një nga figurat më të rëndësishme të lëvizjes kombëtare në trevën e Pogradecit. Bashkëpunimi i tij me patriotë të njohur si Çerçiz Topulli dhe Mihal Grameno, si edhe besimi që gëzonte te banorët, e bënë një nga udhëheqësit më të spikatur të luftës për pavarësi në këtë zonë.

“Kajo Babeni është një nga figurat më të rëndësishme të fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX në trevën e Pogradecit. Ai konsiderohet si një prej udhëheqësve kryesorë të lëvizjes antiosmane në këtë territor, duke u shndërruar në simbol të përpjekjeve për liri dhe pavarësi.

Veprimtaria e tij patriotike mori një hov të veçantë në fillim të shekullit XX, kur ai bashkëpunoi ngushtë me patriotë të shquar të kohës, si Çerçiz Topulli dhe Mihal Grameno. Përmes këtyre lidhjeve dhe angazhimit të tij të vazhdueshëm, Kajo Babeni luajti një rol të rëndësishëm në organizimin e çetave patriotike dhe në mobilizimin e popullsisë së zonës.

I njohur për autoritetin dhe besimin që gëzonte te banorët, ai arriti të bashkonte njerëzit rreth idealit të çlirimit kombëtar. Për këtë arsye, Kajo Babeni mbetet një figurë emblematike e historisë së Pogradecit dhe një nga personalitetet më të spikatura të lëvizjes patriotike shqiptare në këtë krahinë.”-u shpreh  Froseda Tole, arkeologe.

Sot, Guri i Kamjes është jo vetëm një monument natyre dhe një nga atraksionet më të vizituara turistike, por edhe një vend me vlera të mëdha historike.

Pozicioni i tij strategjik bëri që të përdorej edhe gjatë Luftës së Parë dhe Luftës së Dytë Botërore, ndërsa përmendet në arkiva, veçanërisht në ato franceze, si një pikë me rëndësi ushtarake.

“Përveç vlerave historike, Guri i Kamjes është edhe një nga atraksionet natyrore më të vizituara të zonës, i shpallur monument natyre. Ai tërheq vizitorë jo vetëm për peizazhin e veçantë, por edhe për historinë që mbart.

Pozicioni i tij strategjik bëri që Guri i Kamjes të përdorej edhe gjatë Luftës së Parë dhe Luftës së Dytë Botërore. Ai përmendet në arkiva të ndryshme, veçanërisht në ato franceze, si një pikë me rëndësi ushtarake për kontrollin e territorit përreth.

Sot, Guri i Kamjes përfaqëson një destinacion ku ndërthuren turizmi historik dhe ai natyror, duke ofruar një përvojë të veçantë për çdo vizitor.”-tha  Ledjan Zeqollari, Drejtor i Turizmit, Bashkia Pogradec.

Edhe pas 114 vitesh, 28 korriku mbetet një datë krenarie për banorët e Gorës, Mokrës, Oparit dhe gjithë trevës së Pogradecit, duke kujtuar sakrificën e atyre që luftuan për lirinë dhe identitetin kombëtar.

EMISIONET