VIDEO/ Muzeu i Lundrimit në Shkodër, destinacion i ri kulturor e turistik

Muzeu i Lundrimit është pjesë e një pakete të plotë ndërhyrjesh që po realizohen në Shkodër, duke synuar rritjen e potencialit turistik.
Simbol i peizazhit urban dhe kulturor të qytetit të Shkodrës, Muzeu i Lundrimit, synon t’i japë hov turizmit kulturor në kryeqendrën e veriut.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje të Muzeut të Lundrimit, që po merr formë në hyrje të Shkodrës.
Kryeministri theksoi se si një hapësirë kushtuar historisë dhe trashëgimisë së lundrimit, ky muze do të shndërrohet në një destinacion të ri kulturor e turistik për qytetarët dhe vizitorët.
Ai formohet nga dy volume të vendosura njëra mbi tjetrën, një volum në formë kodre në pjesën e poshtme dhe një “varkë pluskuese” në pjesën e sipërme.
Muzeu do të ketë një ekspozitë të përhershme, një kënd për fëmijë, një laborator për rikrijimin e varkave dhe një dhomë edukative.
Projekti me vlerë 2,4 milionë euro është financim i Bashkimit Evropian përmes Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.


