RROGA E 15.7 VITEVE PËR NJË SHTËPI/ Shqipëria e treta në Europë për hendekun mes pagave dhe çmimeve të banesave

Blerja e një banese në Shqipëri kërkon mesatarisht 15.7 vite të ardhura të plota nga paga mesatare, pa llogaritur shpenzimet e jetesës dhe taksat. Të dhënat vijnë nga raporti i fundit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për periudhën 2010-2023, i cili e rendit Shqipërinë të tretën në Europë për hendekun mes pagave dhe çmimeve të pronave.

Sipas raportit, vetëm Monako dhe Serbia kanë një diferencë më të lartë mes fuqisë blerëse të qytetarëve dhe kostos së banesave. Ndërkohë, në disa vende të Ballkanit Perëndimor, si Serbia dhe Bosnje-Hercegovina, ky tregues ka ardhur në rënie gjatë viteve të fundit, ndërsa në Shqipëri pas vitit 2015 tendenca ka qenë në rritje.

Raporti i OKB-së evidenton se përballueshmëria e banesave në Shqipëri është përkeqësuar, pasi çmimet e tregut të pasurive të paluajtshme janë rritur më shpejt se të ardhurat e familjeve.

Përveç kostos së lartë të banesave, raporti ngre shqetësime edhe për kushtet e strehimit. Shqipëria renditet ndër vendet e fundit në Europë për sigurinë e strukturave të banimit, me rreth 80% të popullsisë që jeton në banesa të konsideruara të sigurta dhe të ndërtuara me materiale të qëndrueshme.

Një tjetër problem i evidentuar është mbipopullimi i banesave. Sipas të dhënave të OKB-së, rreth 58% e popullsisë shqiptare jeton në banesa të mbipopulluara, ku sipas standardeve ndërkombëtare konsiderohet mbipopullim kur në një dhomë jetojnë më shumë se tre persona.

Me këtë tregues, Shqipëria renditet e parafundit në Europë, vetëm pas Malit të Zi, duke reflektuar presionin e lartë mbi tregun e banesave dhe vështirësitë e qytetarëve për të siguruar një strehim të përballueshëm.

EMISIONET