KOSTOJA E JETESËS ARRIN NIVELIN MË TË LARTË NË RAJON/ Çmimet rriten më shpejt se pagat, ekspertët: Shqipëria varet nga importet

Kostoja e jetesës në Shqipëri vijon të rritet me ritme më të shpejta se të ardhurat e qytetarëve, duke e pozicionuar vendin si më të shtrenjtin në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Të dhënat e Eurostat tregojnë se çmimet në Shqipëri janë afruar ndjeshëm me mesataren e Bashkimit Europian, ndërsa pagat nuk kanë ndjekur të njëjtin ritëm rritjeje.

Sipas të dhënave, gjatë katër viteve të fundit kostoja e jetesës në vend është rritur me 11 pikë përqindje krahasuar me mesataren e BE-së, ndërsa në raport me vitin 2013 rritja arrin në 23 pikë përqindje.

Ekspertja e ekonomisë, Romina Radonshiq, argumenton se një nga faktorët kryesorë që ka ndikuar në shtrenjtimin e jetesës është varësia e lartë e Shqipërisë nga importet. Sipas saj, rreth 70% e produkteve të konsumit vijnë nga jashtë, duke e bërë tregun vendas më të ekspozuar ndaj luhatjeve të çmimeve ndërkombëtare.

“Varësia nga importet rëndon veçanërisht familjet me të ardhura të ulëta, pensionistët dhe përfituesit e ndihmës ekonomike”, thekson ekspertja.

Edhe pse inflacioni është stabilizuar krahasuar me vitet e mëparshme, çmimet e produkteve bazë të shportës vijojnë të rriten më shpejt se pagat. Ekspertët vlerësojnë se rritjet e pagave në sektorin publik dhe privat nuk kanë qenë të mjaftueshme për të kompensuar rritjen e vazhdueshme të shpenzimeve të përditshme.

Shqipëria renditet tashmë mbi disa vende anëtare të Bashkimit Europian sa i përket kostos relative të jetesës, duke lënë pas edhe Bullgarinë dhe Rumaninë. Për shumë familje, veçanërisht ato me të ardhura të kufizuara, rritja e çmimeve po përkthehet në ulje të fuqisë blerëse dhe vështirësi më të mëdha për përballimin e shpenzimeve bazë.

EMISIONET