Ministri Salla: Markata e Peshkut në Vlorë, një investim për modernizimin e peshkimit dhe zhvillimin e ekonomisë blu
Markata e Peshkut në Vlorë ka kaluar në pronësi të Bashkisë.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Andis Salla, sëbashku me kryebashkiaken Brunilda Mersinin, kanë vizituar sot Markatën e Peshkut në Vlorë, e cila sipas kryeministrit Edi Rama, me kalimin në pronësi të Bashkisë, i hap rrugën vënies në funksion të një prej investimeve më të rëndësishme për modernizimin e sektorit të peshkimit dhe zhvillimin e ekonomisë blu në vend.
Kryeministri Rama ka shkruar se Markata e Peshkut, e integruar me Portin e Peshkimit dhe Portin e Ri Tregtar të Vlorës, me një sipërfaqe prej 1.300 m² dhe 15 dhoma frigoriferike, do të funksionojë sipas standardeve të Bashkimit Europian.
Po ashtu kryeministri ka theksuar se Markata e Peshkut në Vlorë do të garantojë siguri ushqimore, formalizimin e tregut, rritjen e kapaciteteve të grumbullimit e ruajtjes dhe krijimin e kushteve për eksport të drejtpërdrejtë të produkteve të peshkimit drejt tregut europian.
Reagimi i Ramës:
"Vlorë - Me kalimin e Markatës së Peshkut në pronësi të Bashkisë Vlorë i hapet rrugë vënies në funksion të një prej investimeve më të rëndësishme për modernizimin e sektorit të peshkimit dhe zhvillimin e ekonomisë blu në vend
E integruar me Portin e Peshkimit dhe Portin e Ri Tregtar të Vlorës, me një sipërfaqe prej 1.300 m² dhe 15 dhoma frigoriferike, Markata do të funksionojë sipas standardeve të Bashkimit Europian, duke garantuar siguri ushqimore, formalizimin e tregut, rritjen e kapaciteteve të grumbullimit e ruajtjes dhe krijimin e kushteve për eksport të drejtpërdrejtë të produkteve të peshkimit drejt tregut europian"
Gjatë inspektimit, Ministri Salla bëri të ditur se investimi prej 1.5 milionë eurosh, i financuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, synon të modernizojë të gjithë zinxhirin e sektorit të peshkimit.
“Është një investim që Ministria e Bujqësisë ka financuar me 1.5 milionë euro për të siguruar mbarëvajtjen e sektorit të peshkimit, për ta sjellë në një ambient të sigurt, për ta magazinuar në dhoma frigoriferike dhe për eksport, sepse ne do të marrim edhe certifikatën për eksport,” u shpreh Ministri Salla.
-
Curri tregon për preferencat e turistëve në sezonin veror
30 Qershor, 19:08
Ministri theksoi se me vënien në funksion të kësaj markate, peshkatarët nuk do të kenë më nevojë të investojnë individualisht në ambiente magazinimi apo certifikime, pasi e gjithë infrastruktura e nevojshme do të ofrohet në një qendër të vetme.
“Të gjithë peshkatarët nuk do të kenë më nevojë të kenë një ambient të tyre për të siguruar një sipërfaqe të caktuar apo certifikime. Të gjitha produktet e tyre do t’i sjellin këtu. Kemi 15 dhoma frigoriferike për çdo biznes dhe sektor. Është një ambient i ri ku 28 anije peshkimi do të kenë mundësinë të depozitojnë produktet e tyre dhe më pas t’i eksportojnë ose t’i tregtojnë në tregun vendas,” deklaroi ai.
Sipas Ministrit Salla, investimi krijon kushte moderne për ruajtjen, përpunimin dhe tregtimin e produkteve të peshkimit, duke rritur konkurrueshmërinë e sektorit dhe duke përmbushur standardet e kërkuara për eksport.


