22 MILIONË EURO PËR TUSHEMISHTIN/ Koçiu: Zona po kthehet në model të turizmit gjithëvjetor

Qeveria po investon rreth 22 milionë euro për transformimin e Tushemishtit dhe zonës liqenore të Pogradecit. Sipas zv/kryeministres Albana Koçiu, projekti synon ta kthejë zonën në një destinacion turistik gjatë gjithë vitit. Investimet përfshijnë shëtitore, parkime, korsi biçikletash dhe hapësira rekreative dhe synon që deri në vitin 2030 numri i turistëve të kalojë 1 milion vizitorë në vit.

Tushemishti, një nga destinacionet më të njohura turistike në juglindje të vendit, pritet të transformohet përmes një pakete investimesh prej rreth 22 milionë eurosh.

Gjatë një vizite në zonë, zv/kryeministrja Albana Koçiu deklaroi se projekti synon ta kthejë Tushemishtin në një model të turizmit gjithëvjetor.

Sipas saj, ndërhyrjet përfshijnë rehabilitimin e shëtitoreve, ndërtimin e parkimeve funksionale, rrugëve të aksesit, korsive të biçikletave dhe hapësirave rekreative.

Kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli, tha se investimi do t’i japë një shtysë të fortë zhvillimit ekonomik dhe turistik të gjithë zonës.

Ndërkohë, drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, sqaroi se projekti është konceptuar si një ndërhyrje e integruar, ku përfshihen investime në parkun e Drilonit, shëtitoret, rrugët e aksesit dhe bypass-in që lidh zonën me pikën kufitare.

Paralelisht po zbatohet edhe projekti për rehabilitimin e vijës liqenore të Pogradecit me financim gjerman, ndërsa po shqyrtohen mundësi të reja investimi edhe në zonën e Linit.

Objektivi afatgjatë i bashkisë mbetet rritja e numrit të turistëve nga rreth 450 mijë aktualisht në mbi 1 milion vizitorë në vit deri në vitin 2030.

EMISIONET