Vetëm 88 centë në vit! Lagjja gjermane ku banorët paguajnë qira sa një kafe!

Në zemër të Augsburgut, në Bavari të Gjermanisë, ndodhet një vend unik në botë ku banorët paguajnë vetëm 88 centë qira në vit. Bëhet fjalë për Fugerei, vendbanimin social më të vjetër në botë, i cili vazhdon të jetë i banuar edhe pas më shumë se 500 vitesh.
Ky kompleks u themelua në vitin 1521 nga bankieri dhe tregtari i njohur gjerman, Jakob Fugger, një nga njerëzit më të pasur në historinë e Evropës. Që prej themelimit, shuma e qirasë nuk ka ndryshuar, duke mbetur simbolikisht e njëjtë me një gulden të Rajnit, monedha e përdorur në atë kohë.
Sot, rreth 200 banorë jetojnë në afro 140 apartamente të shpërndara në 60 ndërtesa brenda mureve të këtij “qyteti të vogël” historik. Megjithatë, jo kushdo mund të bëhet pjesë e Fugerei-t. Kandidatët duhet të jenë katolikë, të kenë jetuar në Augsburg për të paktën dy vite dhe të provojnë se ndodhen në vështirësi financiare.
Përveç qirasë simbolike, banorët kanë edhe një detyrim të veçantë: të luten tre herë në ditë për shpirtin e themeluesit dhe familjes Fugger, një traditë që vazhdon prej pesë shekujsh.
Kompleksi, i rrethuar me mure dhe porta që mbyllen çdo natë, përfshin rrugë të vogla, një shesh qendror dhe kishën e Shën Markut, duke funksionuar si një qytet i vogël brenda qytetit.
Interesant është fakti se turistët paguajnë rreth 6.5 euro për të vizituar Fugerei-n, shumë që tejkalon qiranë shtatëvjeçare të një banori të këtij vendbanimi unik.

