Të dërguarit amerikanë në Doha, Irani bën lëvizjen e saj: Nuk takim të drejtpërdrejtë me zyrtarët iranianë

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara, Steve Witkoff, dhe Jared Kushner ndodhen në Doha për të zhvilluar bisedime me ndërmjetësuesit lidhur me negociatat mes SHBA-së dhe Iranit, por nuk do të zhvillojnë takime të drejtpërdrejta me përfaqësues iranianë, bëri të ditur Ministria e Jashtme e Katarit.
Zëdhënësi i ministrisë, Majed al-Ansari, deklaroi se nuk janë planifikuar takime të nivelit të lartë apo negociata të drejtpërdrejta mes delegacioneve amerikane dhe iraniane në ditët në vijim.
Vizita në Doha vjen pasi SHBA-ja dhe Irani ranë dakord të ndalojnë sulmet ndaj njëri-tjetrit dhe të dërgojnë delegacione në Katar, pas një shkëmbimi katërditor sulmesh të nxitura nga mosmarrëveshjet për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët detare më të rëndësishme për transportin global të naftës dhe gazit.
Përplasjet e fundit rrezikuan zbatimin e memorandumit të mirëkuptimit të ndërmjetësuar nga Katari dhe Pakistani, i cili u arrit më pak se dy javë më parë.
Marrëveshja parashikon ndërprerjen e operacioneve ushtarake në të gjitha frontet, përfshirë Libanin, rihapjen e menjëhershme të Ngushticës së Hormuzit dhe një afat prej të paktën 60 ditësh për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse mbi programin bërthamor të Iranit, sanksionet amerikane dhe një armëpushim të përhershëm.
Sipas ndërmjetësuesve raundi i parë i bisedimeve, i zhvilluar javën e kaluar në Zvicër, shënoi përparim inkurajues. Në takim morën pjesë nënpresidenti amerikan JD Vance dhe kryetari i Parlamentit iranian, Mohammed Bagher Ghalibaf. Gjithashtu, u krijua një linjë komunikimi për të garantuar kalimin e sigurt të anijeve tregtare përmes Ngushticës së Hormuzit.

