Ish-ministri i Jashtëm i Hungarisë lë politikën/ Merr post drejtues te gjiganti kinez BYD

Ish-ministri i Jashtëm i Hungarisë lë politikën/ Merr post

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Hungarisë, Peter Szijjártó, ka dhënë dorëheqjen nga mandati i deputetit, duke i dhënë fund karrierës së tij politike për t’iu bashkuar kompanisë kineze BYD.

Përmes një postimi në Facebook, ai bëri të ditur se ka pranuar një ofertë “jashtëzakonisht prestigjioze” nga një prej kompanive më të mëdha të ekonomisë botërore.

“Kam dorëzuar dorëheqjen nga mandati im parlamentar. Duke filluar nga sot, do ta vazhdoj karrierën time si drejtues përgjegjës për marrëdhëniet me jashtë dhe zhvillimin e fushave të reja të biznesit brenda grupit”, shkroi ai.

Szijjártó vlerësoi BYD-në si një nga historitë më të mëdha të suksesit në industrinë automobilistike gjatë dy dekadave të fundit dhe lider global në prodhimin e automjeteve me energji të re.

Ai u zgjodh për herë të parë deputet në vitin 2002, ndërsa nga viti 2010 shërbeu si zëdhënës personal i kryeministrit Viktor Orbán. Dy vite më vonë u emërua sekretar shtetëror për marrëdhëniet me jashtë dhe ekonominë ndërkombëtare, ndërsa në vitin 2014 mori drejtimin e Ministrisë së Jashtme, post që e mbajti deri në vitin 2026.

EMISIONET