Scaloni përgatit surprizën ndaj Anglisë/ Argjentina pritet të ndryshojë skemën në gjysmëfinale të Botërorit

Përzgjedhësi i Argjentinës, Lionel Scaloni, po përgatit ndryshime të rëndësishme përpara sfidës gjysmëfinale të Kupës së Botës kundër Anglisë, e cila do të zhvillohet të mërkurën në Atlanta.
Kampionët në fuqi të botës janë vetëm një fitore larg finales së dytë radhazi, por paraqitjet e fundit kanë bërë që Scaloni të mendojë për një qasje të re taktike.
Argjentina ka kaluar disa raunde me vështirësi, duke pasur nevojë për kohë shtesë ndaj Kepit të Gjelbër dhe Zvicrës, ndërsa ndaj Egjiptit realizoi një përmbysje dramatike me tre gola brenda 13 minutash.
Sipas mediumit argjentinas “Diario Olé”, Scaloni ka testuar dy skema të reja gjatë stërvitjeve dhe po shqyrton ndryshime në formacionin titullar për përballjen ndaj Anglisë.
Skuadra argjentinase është mbështetur shumë te momentet individuale të Lionel Messit, i cili në moshën 39-vjeçare ka shënuar tetë gola në atë që pritet të jetë Kupa e tij e fundit e Botës.
Megjithatë, trajneri argjentinas kërkon më shumë ekuilibër në lojë, pasi mungesa e anësorëve ofensivë e ka detyruar atë të përdorë shpesh katër mesfushorë qendrorë: Enzo Fernandez, Rodrigo De Paul, Alexis Mac Allister dhe Leandro Paredes.
Përballë Anglisë, Scaloni mund të vendosë të ndryshojë strukturën sulmuese, duke i dhënë hapësirë lojtarëve si Giuliano Simeone, Thiago Almada, Nico Paz, Nico Gonzalez apo Valentin Barco.
Sfida ndaj “Tre Luanëve” pritet të jetë testi më i madh për Argjentinën në këtë Botëror, me “La Albiceleste”-n që kërkon finalen e dytë radhazi dhe trofeun e katërt në histori.


