Franca drejt një përballjeje të re politike, Marine Le Pen del e preferuar për vitin 2027

Franca drejt një përballjeje të re politike, Marine Le Pen del e

Marine Le Pen është kthyer në qendër të skenës politike franceze, pasi dy sondazhe të reja e rendisin lideren e Tubimit Kombëtar (RN) si kandidaten me më shumë mbështetje për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027.

Sipas anketave të realizuara nga Ifop për LCI dhe Le Figaro, si dhe nga Toluna Harris Interactive për M6 dhe RTL, Le Pen do të kryesonte raundin e parë të zgjedhjeve dhe do të siguronte fitore edhe në raundin e dytë, pavarësisht kundërshtarit.

Sondazhi i Ifop e vendos lideren 57-vjeçare të RN me 36% të votave në raundin e parë, duke shënuar rritje krahasuar me muajt e mëparshëm, kur mbështetja e saj luhatej mes 32 dhe 34 për qind. Asnjë nga rivalët e saj nuk arrin të kalojë pragun e 19%.

Rezultate të ngjashme paraqet edhe sondazhi i dytë, ku Le Pen qëndron në vendin e parë me një avantazh të ndjeshëm ndaj kandidatëve të tjerë.

Këto rezultate vijnë pas vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila konfirmoi fajësinë e Le Pen për keqpërdorim të fondeve të Bashkimit Europian, por reduktoi kohëzgjatjen e ndalimit të saj për të kandiduar në zgjedhje. Pas vendimit, ajo konfirmoi kandidaturën për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027.

Në raundin e dytë, sondazhet e nxjerrin Le Pen fituese ndaj kandidatëve të ndryshëm. Sfida më e fortë për të do të vinte nga ish-kryeministri Édouard Philippe, i cili shihet si rivali më konkurrues në balotazh.

Përballë ish-kryeministrit Gabriel Attal ose liderit të së majtës Jean-Luc Mélenchon, diferenca në favor të Le Pen parashikohet të jetë më e madhe.

Megjithatë, institutet që realizuan sondazhet kanë sqaruar se rezultatet pasqyrojnë vetëm gjendjen aktuale të opinionit publik dhe nuk përbëjnë një parashikim përfundimtar, pasi deri në zgjedhjet e vitit 2027 skena politike franceze mund të ndryshojë.

Nëse ky trend vazhdon, Marine Le Pen do të hyjë në garën presidenciale si favoritja kryesore për të zëvendësuar Emmanuel Macron në krye të Francës.

EMISIONET