BERAT/ Operonin këmbime valutore pa licencë, caktohen masat ndaj 11 personave përgjegjës për 6 subjektet e paligjshme. Ja shuma MARRAMENDËSE e përfituar

BERAT/ Operonin këmbime valutore pa licencë, caktohen masat ndaj 11

Policia e Beratit ka zhvilluar një operacion kundër një aktiviteti të dyshuar të paligjshëm në fushën e këmbimit valutor, ku janë ekzekutuar 11 masa sigurie ndaj personave nën hetim.

Operacioni është zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, nën drejtimin e Prokurorisë së Beratit.

Sipas hetimeve, në gjashtë subjekte të transfertave të parave në Berat, Kuçovë, Skrapar dhe Dimal dyshohet se ushtrohej aktivitet i këmbimit valutor pa licencën përkatëse, në kundërshtim me kërkesat ligjore.

Për katër persona është vendosur masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, ndërsa për shtatë të tjerë është caktuar “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.

Gjatë kontrolleve në subjektet e dyshuara, policia ka sekuestruar si prova materiale 8.808.000 lekë, 118.425 euro, 7.390 dollarë amerikanë, 665 paund britanikë dhe 110 franga zvicerane.

Gjithashtu janë sekuestruar 12 telefona celularë, 4 pajisje DVR, 2 USB dhe një laptop, të cilat do të përdoren gjatë hetimeve për zbardhjen e plotë të aktivitetit.

Hetimet vijojnë nga Prokuroria e Beratit për përcaktimin e plotë të përgjegjësive penale dhe rolit të personave të përfshirë.

EMISIONET