FOTO/ Skaneri i aeroportit "fundos" trafikun e dr*gës në Rinas, zbulohen 46 kg k*nabis në bagazhet e pasagjerëve nga Kanadaja

Një sasi prej 46 kilogramësh lëndë narkotike e dyshuar Cannabis sativa është sekuestruar në Aeroportin e Rinasit gjatë kontrolleve të kryera nga Administrata Doganore dhe Policia e Shtetit.
Droga u zbulua në bagazhet e dy pasagjerëve që mbërritën me një fluturim nga Toronto.
Sipas njoftimit, droga u zbulua gjatë kontrolleve të bazuara në analizën e riskut, të zhvilluara nga Dogana e Rinasit në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Shtetit.
Gjatë skanimit të bagazheve të pasagjerëve të fluturimit Toronto–Rinas, dy valixhe ngritën dyshime për përmbajtje të kundërligjshme. Pas kontrollit fizik, në prani të poseduesve të tyre, u gjetën dhe u sekuestruan 46 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar e llojit Cannabis sativa, e ndarë në 89 paketime.
Dy personat e përfshirë, së bashku me lëndën narkotike të sekuestruar, iu dorëzuan Policisë së Shtetit, e cila ka vijuar procedurat hetimore për zbardhjen e plotë të rastit.
Kontrollet në pikat kufitare vijojnë në kuadër të luftës kundër trafikut të lëndëve narkotike dhe veprimtarive të tjera të paligjshme.


