Armëpushimi SHBA-Iran në provë, pas shkëmbimit të sulmeve

Armëpushimi SHBA-Iran në provë, pas shkëmbimit të

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit janë rindezur, pasi të dyja palët shkëmbyen sulme ushtarake, duke vënë në pikëpyetje zbatimin e armëpushimit të arritur së fundmi dhe sigurinë në Ngushticën strategjike të Hormuzit.

Sipas autoriteteve amerikane, Irani sulmoi me dron një anije tregtare në Ngushticën e Hormuzit, veprim që Uashingtoni e cilësoi si shkelje të qartë të armëpushimit. Në përgjigje, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se goditi depo raketash, dronësh dhe pozicione radarësh bregdetarë iranianë.

Presidenti amerikan Donald Trump e dënoi sulmin ndaj anijes, duke e quajtur atë një shkelje të pamatur të marrëveshjes së armëpushimit.

Ndërkohë, zëvendëspresidenti JD Vance paralajmëroi se çdo akt i mëtejshëm agresioni nga Irani do të përballet me një përgjigje të menjëhershme.

Nga ana tjetër, televizioni shtetëror iranian raportoi se Garda Revolucionare kreu sulme ndaj objektivave amerikane në rajonin e Gjirit si kundërpërgjigje ndaj bombardimeve amerikane. Garda deklaroi se, nëse sulmet e SHBA-së përsëriten, përgjigjja iraniane do të jetë edhe më e gjerë.

Autoritetet iraniane raportuan gjithashtu për një shpërthim pranë portit të Sirikut, në jug të vendit, që sipas burimeve ushtarake u shkaktua nga goditja e një predhe.

Megjithatë, agjencia Mehr bëri të ditur se porti vazhdon të funksionojë normalisht dhe nuk janë regjistruar dëme në infrastrukturë.

Pavarësisht përshkallëzimit të ri, çmimet e naftës kanë vijuar të bien, pasi tregjet besojnë se trafiku në Ngushticën e Hormuzit, rrugë nga ku kalon rreth një e pesta e eksporteve botërore të naftës dhe gazit, do të vazhdojë të rikuperohet.

Ndërkohë, Izraeli, Libani dhe Shtetet e Bashkuara nënshkruan në Uashington një marrëveshje që synon të krijojë bazat për paqe në kufirin Izrael-Liban.

Dokumenti parashikon rikthimin e ushtrisë libaneze në dy zona pilot të kontrolluara aktualisht nga Izraeli dhe nisjen e një procesi për çarmatimin e Hezbollahut.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e cilësoi marrëveshjen një fitore ndaj ndikimit iranian, ndërsa presidenti libanez Joseph Aoun tha se ajo përbën një hap të parë drejt kthimit të civilëve në shtëpitë e tyre.

Megjithatë, Hezbollahu e kundërshtoi marrëveshjen dhe mbështetësit e tij protestuan në Bejrut, duke argumentuar se zgjidhja e frontit libanez duhet të jetë pjesë e negociatave më të gjera mes SHBA-së dhe Iranit.

Në të njëjtën kohë, drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), Rafael Grossi, theksoi se çdo marrëveshje përfundimtare me Iranin duhet të përfshijë mekanizma të fortë verifikimi për të garantuar se programi bërthamor iranian nuk do të përdoret për prodhimin e armëve bërthamore.

Sipas marrëveshjes së përkohshme, rezervat iraniane të uraniumit të pasuruar do të hollohen nën mbikëqyrjen e IAEA-së.

EMISIONET