Sulm me th*kë në Paris/ Tre gra pl*gosen pranë stacionit të tramvajit

Tre gra, mes tyre një shtatzënë, janë sulmuar me thikë pranë një stacioni tramvaji në veri të Parisit, duke shkaktuar alarm në zonë.
Ngjarja ndodhi në rrugë, ku një 31-vjeçar dyshohet se sulmoi gratë me dy thika kuzhine. Sipas autoriteteve franceze, dy prej të plagosurave u dërguan në spital në gjendje të rëndë, ndërsa e treta mori plagë më të lehta.
Viktimat janë të moshës 19, 24 dhe 36 vjeçe.
Dëshmitarët në vendngjarje përshkruan momentet e frikës, ndërsa treguan se autori kaloi pranë tyre duke sulmuar personat që ndodheshin në rrugë.
“Pamë një burrë që kaloi me dy thika dhe goditi tre persona. Më pas një i ri e goditi autorin me çantën e tij, duke e rrëzuar në tokë”, treguan dëshmitarët.
Pas ndërhyrjes së qytetarit, një oficer policie jashtë detyre ndërhyri menjëherë dhe arriti të neutralizojë e arrestojë të dyshuarin.
Identiteti i autorit dhe motivi i sulmit ende nuk janë përcaktuar nga hetuesit. Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nunez, bëri thirrje për kujdes në nxjerrjen e përfundimeve, ndërsa grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave.
Sipas dëshmive dhe pamjeve të siguruara nga vendngjarja, agjencia Reuters raportoi se i dyshuari është dëgjuar të ketë thënë pas sulmit: “Allahu më urdhëroi ta bëj këtë”.
Zyra Antiterroriste në Francë ka nisur ndjekjen e procedurave të parashikuara nga Prokuroria e Parisit për të përcaktuar nëse ngjarja lidhet me një motiv terrorist apo me një tjetër arsye.


