VIDEO/ Lamallari: Kontrolle të shtuara për ndotjen akustike, Policia do sanksionojë shkelësit

VIDEO/ Lamallari: Kontrolle të shtuara për ndotjen akustike, Policia

Policia e Shtetit do të shtojë kontrollet në të gjithë territorin për evidentimin dhe ndëshkimin e rasteve të ndotjes akustike, duke synuar garantimin e qetësisë publike gjatë sezonit turistik.

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, përmes një reagimi në rrjetet sociale, theksoi se zhurma e lartë nuk mund të konsiderohet argëtim kur kthehet në shqetësim për banorët dhe turistët që zgjedhin zonat bregdetare për pushime.

“Policia e Shtetit do të jetë e pranishme me kontrolle të shtuara në të gjithë vendin, për të evidentuar çdo ndotje akustike në territor dhe të sanksionojë këdo që nuk do t’ia dijë për të tjerët dhe përcaktimet ligjore”, theksoi ministri Lamallari.

Ministri u bëri thirrje qytetarëve të raportojnë çdo rast shqetësimi të shkaktuar nga zhurmat e tepërta.

“Kë gënjen mendja se mund të bëjë ç’të dojë me muzikën në kupë të qiellit duke shqetësuar komunitetin dhe turistët, ka qytetarët kundër dhe ‘vizitorët’ me uniformë tek dera e lokalit. Inkurajoj qytetarët të telefonojnë 129 për të raportuar çdo shqetësim të tillë”, tha Lamallari.

Kontrollet për respektimin e rregullave për ndotjen akustike vijojnë në kuadër të masave për sezonin turistik, me qëllim krijimin e një mjedisi më të qetë dhe të sigurt për banorët dhe vizitorët.

EMISIONET