Botërori ndryshon planet e Real Madridit/ Rodri rikthehet në listën e “galaktikëve” për Bernabeun

Real Madridi ka rihapur pistën për transferimin e mesfushorit të Manchester Cityt, Rodri, pas paraqitjeve të tij të jashtëzakonshme në Kupën e Botës 2026.
Drejtuesit e klubit madrilen kanë ndryshuar qëndrim ndaj yllit spanjoll, i cili më herët ishte lënë jashtë prioriteteve për shkak të moshës, çmimit të lartë dhe profilit të transferimit.
Megjithatë, forma e treguar në Botëror ka bindur Real Madridin se Rodri mund të jetë lojtari ideal për të sjellë ekuilibër dhe kontroll në mesfushën e skuadrës.
Sipas raportimeve, një rol të rëndësishëm në këtë vendim ka pasur edhe trajneri Jose Mourinho, i cili ka kërkuar një mesfushor me aftësi për të diktuar ritmin e lojës dhe për të rritur stabilitetin e ekipit.
Edhe vetë Rodri nuk e ka fshehur më parë admirimin për Real Madridin dhe interesimin për të luajtur në “Santiago Bernabeu”.
Por pengesa kryesore mbetet Manchester City, që nuk dëshiron të humbasë një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës dhe synon rinovimin e kontratës së tij që skadon verën e ardhshme.
Pas finales së Kupës së Botës, ku Rodri do të udhëheqë Spanjën përballë Argjentinës si kapiten, pritet të zhvillohen bisedime për të ardhmen e tij.
Nëse transferimi realizohet, ardhja e Rodrit do të ishte një nga goditjet më të mëdha të Real Madridit në vitet e fundit.



