SNAJPERIST ME PAGESË? Edmond Sula u qëllua me pushkë nga 60-100 metra, policia gjen 1 gëzhojë. Konfliktet për tokat, pista kryesore
Konfliktet për pronat është një nga pistat kryesore që po heton policia për vrasjen e Edmond Sulës në Bërxullë. Hetuesit po verifikojnë 18 raste të mëparshme kallëzimesh e procedimesh, ndërsa dyshohet se atentati mund të ketë qenë i porositur dhe i kryer nga distanca. Autori ndërkohë mbetet I lirë.
Konfliktet për pronat janë në qendër të hetimeve për vrasjen e Edmond Sulës, i njohur edhe si Edmond Aliu, i ekzekutuar pranë banesës së tij në Bërxullë, pak minuta pas mesnatës së 11 korrikut.
50-vjeçari merrej prej vitesh me shitblerjen e pronave dhe kishte kontakte të shpeshta me institucione që trajtojnë çështjet e pronësisë. Në zonë njihej për ndikimin e tij politik dhe institucional, ndërsa, sipas burimeve, ishte angazhuar edhe në fushata elektorale në mbështetje të kandidatëve të caktuar.
Pikërisht ky aktivitet, kontaktet e shumta dhe konfliktet që mund të kenë lindur prej tyre përbëjnë një nga drejtimet kryesore të hetimit.
Sula u qëllua nga pas me një plumb të vetëm, i cili i përshkoi trupin dhe i preku zemrën. Mënyra e ekzekutimit ka ngritur dyshime se autori mund të ketë vepruar nga një distancë prej 60 deri në 100 metrash, duke përdorur një armë të pajisur me dylbi ose me karakteristika snajperi.
Personi që shoqëronte viktimën ka deklaruar se nuk dëgjoi asnjë të shtënë, çka ka shtuar dyshimet se arma mund të ketë qenë e pajisur me silenciator.
Hetuesit po verifikojnë gjithashtu mundësinë që atentati të ketë qenë i porositur dhe të jetë kryer nga një vrasës me pagesë. Nuk përjashtohet që autori të ketë pasur bashkëpunëtorë, të cilët mund ta kenë pritur për ta larguar menjëherë nga zona.
Në skedarët e policisë janë evidentuar të paktën 18 raste ku Sula rezulton i kallëzuar, i denoncuar ose i proceduar për episode dhune, presioni dhe mosmarrëveshje pronësore. Këto të dhëna po verifikohen për të identifikuar konflikte të mundshme që mund të lidhen me vrasjen.
Megjithatë, grupi hetimor nuk po përqendrohet vetëm te pronat. Në shqyrtim janë edhe konfliktet personale, përplasjet me persona të lidhur me grupe kriminale, si dhe episode nga e kaluara e tij jashtë vendit.
Një nga kamerat e banesës ka fiksuar siluetën e një personi që largohet pas atentatit, por pamjet janë të paqarta dhe nuk mundësojnë krijimin e një identikiti.
Për të rindërtuar lëvizjet para dhe pas krimit, policia ka sekuestruar dhjetëra kamera sigurie në rrugët hyrëse dhe dalëse të Bërxullës, me synim identifikimin e ndonjë personi ose automjeti të dyshimtë.


