VIDEO/ Policia e Vlorës: 254 vepra penale të evidentuara në qershor, masa të shtuara për sezonin turistik

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, Edvin Ndreu dhe ai i Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, Arbër Zemani, në një konferencë për mediet sot prezantuan rezultatet e punës gjatë muajit qershor.
Ndreu theksoi se gjatë muajit qershor janë evidentuar 254 vepra penale të ndryshme, prej të cilave janë zbuluar 240 ose 94,5%. Për këto vepra penale janë identifikuar 280 autorë të dyshuar, nga të cilët 65 janë arrestuar/ndaluar, 206 janë proceduar në gjendje të lirë dhe 9 janë shpallur në kërkim.
Sipas tij, krahasuar me muajin e kaluar, janë evidentuar 42 raste më shumë të veprave penale, ndërsa zbulueshmëria është afërsisht në të njëjtat nivele, me 94%.
“Gjatë muajit qershor janë sekuestruar: 6 armë zjarri (pistoleta), 4 armë të ftohta, 138 fishekë luftarak; mbi 700 doza lënde narkotike Tusi, Ketaminë, MDMA, Cannabis sattiva, Kokainë dhe Ekstazi; 4 pasuri të llojit “Apartament“; 1 pasuri e llojit “Njësi” (prona me vlere rreth 400 000 euro)”, tha ai.
Me rritjen e fluksit të lëvizjes, Ndreu bëri me dije se është intensifikuar monitorimi inteligjent i akseve rrugore, për të cilin kanë pasur dhe mbështetjen e Drejtorisë së Policisë Rrugore.
“Si rezultat, Sektori i Policisë Rrugore ka evidentuar 65 raste të shkeljeve që cenojnë sigurinë rrugore ose 18 raste më shumë se në muajin maj. Gjatë kësaj periudhe, janë vendosur 15 607 masa administrative dhe janë vjelur 7881”, tha ai.
Sa i përket mbarëvajtjes së sezonit turistik veror, Ndreu nënvizoi se janë vënë në dispozicion dhe 135 punonjës policie, të cilët do të jenë në shërbim përgjatë bregdetit, në Vlorë, Himarë dhe Sarandë.
Nga ana tjetër, drejtori i Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, Arbër Zemani, tha se gjatë muajit qershor 2026, në pikat e kalimit kufitar në juridiksionin e DVKM Vlorë janë përpunuar 202 013 shtetas dhe 40 059 automjete, me një mesatare ditore prej 6734 shtetasish dhe 1335 automjetesh.
“Nga shërbimet e portit të Vlorës, portit të Sarandës dhe pikës së kalimit kufitar Qafë Botë janë përpunuar në hyrje gjithsej 78 456 shtetas të huaj, rreth 3,2% më shumë se gjatë muajit qershor të vitit 2025”, tha ai.
Sipas tij, fluksi maksimal i regjistruar brenda 24 orëve ka arritur në 3057 shtetas dhe 586 automjete, tregues që konfirmojnë rritjen e ndjeshme të lëvizjeve ndërkufitare gjatë sezonit turistik.
“Për përballimin e fluksit të shtuar janë hapur 9 poste pune në PKK Qafë Botë, Portin e Sarandës dhe Portin e Vlorës, si dhe janë angazhuar 10 punonjës policie të deleguar nga drejtori të tjera vendore, në kuadër të mbështetjes së sezonit turistik veror 2026”, u shpreh Ndreu.
Ndreu bëri me dije se çdo shkelje që cenon sigurinë e pushuesve trajtohet me tolerancë zero dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“Nga shërbimet në juridiksionin e DVKM Vlorë është regjistruar një fluks i lartë i mjeteve turistike lundruese në të gjithë vijën bregdetare. Gjithsej janë kontrolluar 1555 mjete lundruese, me prezencë intensive në Triport, Sarandë dhe Dhërmi”, tha ai.
Ai theksoi se gjatë muajit qershor 2026, është dhënë ndihmë në det, në 8 raste, gjatë të cilave iu është shkuar në ndihmë gjithsej 31 shtetasve, kryesisht të huaj, por edhe shqiptarë, si dhe 6 mjeteve lundruese.
“Gjatë muajit qershor, vëmendje e veçantë i është kushtuar sigurisë detare dhe sigurisë së pushuesve në plazhe. Në këtë kuadër, nga Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare janë bllokuar 66 mjete lundruese. Janë vendosur 68 masa administrative, me vlerë totale 2 700 000 lekë, për shkelje të perimetrit të sigurisë në det, mungesë dokumentacioni në bord, mungesë të regjistrimit të pronësisë së mjetit brenda afatit, tejkalim të numrit të lejuar të personave në bord, qëndrim ose lundrim në ujërat e brendshme përtej afatit 18-mujor, si dhe lundrim pa certifikatën e operatorit turistik”, tha ai.


