Shqipëria dhe Eurojust angazhohen për thellimin e bashkëpunimit kundër krimit ndërkufitar

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari zhvilloi një takim në Hagë me presidentin e Eurojust, Michael Schmid, ku u diskutua mbi forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në luftën kundër krimeve ndërkufitare.
Gjatë takimit, tha Lamallari u vlerësua partneriteti i qëndrueshëm mes Shqipërisë dhe Eurojust, i cili po jep rezultate konkrete në hetimin e veprave penale komplekse, trafikut të drogës, pastrimit të parave dhe mashtrimeve online.
Lamallari vlerësoi mbështetjen e Eurojust për institucionet shqiptare dhe rolin e rëndësishëm që po luan Prokurori Ndërlidhës në forcimin e bashkëpunimit gjyqësor me vendet e Bashkimit Evropian.
Ministri Lamallari theksoi se Shqipëria do të vijojë të jetë një partner i besueshëm në përpjekjet e përbashkëta për siguri, drejtësi dhe sundim të ligjit, ndërsa mbështetja për institucionet e drejtësisë mbetet thelbësore në rrugën drejt përmbushjes së standardeve evropiane.
Takimi u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm mes institucioneve shqiptare dhe agjencive evropiane të drejtësisë për forcimin e luftës kundër kriminalitetit ndërkufitar.

