Krijohet “Aleanca për Mbrojtjen e Prrenjasit”/ Qytetarët bashkohen kundër 'shkrirjes' së bashkisë së qytetit me Librazhdin

Një nismë qytetare për mbrojtjen e Bashkisë Prrenjas do të marrë formë zyrtare këtë të shtunë, në ambientet e Qendrës Kulturore të qytetit, ku do të krijohet "Aleanca për Mbrojtjen e Përrenjasit".
Organizatorët synojnë të bashkojnë qytetarët dhe grupet e interesit për të hartuar një dokument që mbështet vijimin e Përrenjasit si njësi e veçantë e qeverisjes vendore.
Takimi është planifikuar të zhvillohet në orën 18:00 dhe u drejtohet të gjithë qytetarëve, pa dallim bindjeje politike apo përkatësie fetare.
Ftesa përfshin intelektualë, mësues, historianë, artistë, sportistë, juristë, ekonomistë, inxhinierë, sipërmarrës, fermerë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe çdo banor që dëshiron të kontribuojë për të ardhmen e Përrenjasit.
Gjatë mbledhjes pritet të hartohet një draft me argumente dhe fakte mbi potencialet e bashkisë.
Dokumenti do të përfshijë vlerat në arsim, kulturë, sport, histori, turizëm, bujqësi, blegtori, trashëgimi kulturore dhe pasuri minerare, si edhe rëndësinë e Parkut Kombëtar Shebenik–Rrajcë, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, dhe Parkut të Sopotit në Stravaj.
Pas përfundimit, materiali do t'u përcillet institucioneve shqiptare, përfaqësive diplomatike dhe institucioneve ndërkombëtare, me synimin që kërkesa dhe argumentet e komunitetit të merren në konsideratë në diskutimet për reformën administrativo-territoriale.
Nisma vjen në një moment kur debati për rikonfigurimin e hartës së bashkive është rikthyer në qendër të vëmendjes, ndërsa organizatorët bëjnë thirrje për bashkim të komunitetit në mbrojtje të identitetit, historisë dhe zhvillimit të Përrenjasit.


