Era e peshkut dhe ushqimeve në shtëpi? Ja truket e thjeshta për ta larguar në pak minuta

Era e peshkut dhe ushqimeve në shtëpi? Ja truket e thjeshta për

Aromat e forta pas gatimit, sidomos ato të peshkut, hudhrës apo ushqimeve me erë të theksuar, mund të qëndrojnë në shtëpi për shumë orë, madje edhe deri ditën tjetër. Hapja e dritareve shpesh ndihmon, por jo gjithmonë arrin t’i largojë plotësisht.

Për të freskuar ambientin nuk është e nevojshme të përdoren produkte kimike. Disa përbërës të thjeshtë që gjenden në çdo kuzhinë mund të ndihmojnë në neutralizimin e aromave të pakëndshme.

Një nga mënyrat më të përdorura është kombinimi i uthullës së bardhë me agrume. Në një tenxhere me ujë shtohet rreth një decilitër uthull dhe disa feta limoni ose portokalli. Përzierja lihet të ziejë për rreth 15 minuta, ndërsa avulli ndihmon në largimin e aromave të forta dhe lë një ndjesi freskie në ambient.

Për ata që nuk e preferojnë aromën e uthullës, mund të shtohen karafil ose kanellë, të cilat i japin hapësirës një aromë më të ngrohtë dhe të këndshme.

Një tjetër zgjidhje praktike është soda e bukës, e njohur për aftësinë e saj për të thithur aromat. Mjafton të vendoset një sasi e vogël në disa enë dhe të shpërndahen në kuzhinë për të ndihmuar në pastrimin e ajrit.

Edhe kafeja mund të shërbejë si një neutralizues natyral. Kafeja e sapobluar, e lënë në banak, ose kokrrat e ngrohura pak në një tigan të thatë, mund të ndihmojnë në reduktimin e aromave të padëshiruara.

Një tjetër truk i shpejtë është përdorimi i një peshqiri kuzhine të lagur. Pasi laget dhe shtrydhet mirë, mund t’i shtohen disa pika uthull të bardhë ose vaj esencial dhe të tundet në ambient për disa minuta. Lagështia ndihmon në kapjen e grimcave të aromave dhe e bën ajrin më të freskët.

Këto metoda të thjeshta mund të përdoren pas gatimit për të mbajtur kuzhinën dhe ambientet e shtëpisë pa aroma të forta, duke shmangur përdorimin e produkteve artificiale.

EMISIONET