Hoxha: Protesta ka zgjuar shqiptarët, njerëzit hoqën frikën nga elita politike që dukej e paprekshme
Efektet e protestave të fundit kanë kaluar kufijtë e shesheve, duke u kthyer në një fenomen që po shndërron rrënjësisht shoqërinë shqiptare dhe po tërheq vëmendjen e mbarë botës. Mediat më të mëdha ndërkombëtare kanë kthyer sytë nga Shqipëria, duke e bërë aktualitetin e vendit kryefjalë të raporteve të tyre të përditshme. Megjithatë, ndryshimi më i madh po ndodh brenda vetë qytetarëve.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë për "Ora News", gazetari Poli Hoxha u shpreh se kjo lëvizje ka zgjuar popullin, duke u kthyer në një gjendje të re mendore që ka zhdukur frikën dhe komplekset ndaj kryetarëve të partive.
Elita politike, e cila deri dje konsiderohej si e paprekshme, e pakomentueshme dhe e pasfidueshme, tashmë është vënë në qendër të kritikave publike. Pavarësisht pjesëmarrjes fizike në shesh, në çdo lagje, dyqan apo kafene, qytetarët flasin hapur dhe pa asnjë lloj kompleksi për domosdoshmërinë e kthimit në një shtet demokratik normal.
"Efektet e protestës mund t'i ndajmë në dy rrafshe. Efekti i parë është efekti në shoqërinë shqiptare, madje në gjithë kombin shqiptar duke përfshirë dhe diasporën. Madje mund të themi pa frikë edhe në gjithë botën që e ka vënë mediat ndërkombëtare e kanë vënë Shqipërinë në qendër të vëmendjes.
Gati të gjitha mediat më të mëdha në botë ditë për ditë kanë nga një shkrim të nisur nga protesta, për protestën dhe nga kjo niset pastaj edhe për aktualitetin në Shqipëri. Në këtë rrafsh, protesta e ka ndryshuar Shqipërinë. Protesta ka zgjuar shqiptarët.
Është kthyer në një gjendje mendore pavarësisht se kush shkon në shesh dhe kush nuk shkon në shesh. Tashmë njerëzit kanë hequr frikën, kanë hequr komplekset për kryetarët e partive, për këtë elitë politike që dukej si e paprekshme, si e pakomentueshme, si e pasfidueshme.
Dhe po ta shikosh që jo vetëm nga protestat vetë, por kudo, në çdo lagje, në çdo dyqan, në çdo kafene, domethënë diskutohet pa asnjë lloj kompleksi që ky vend, më në fund vendit i ka ardhur koha që të kthehet në një shtet demokratik normal, sepse pavarësisht se mënyra se si duan ta trajtojnë protestën, kërkesat e protestës janë jashtëzakonisht shumë të thjeshta dhe shumë normale.
Ata kërkojnë rikthimin në binarët e demokracisë përfaqësuese, pra rikthimin e votës që deputetët të përfaqësojnë popullin siç thotë neni 2, rikthimin e referendumeve, pra një kod të ri zgjedhor, rikthim për referendumesh, presidentin ta zgjedhë populli, domethënë shkalmimin e asaj që ngjizi Rama me Berishën në 2008-ën e të tjerë e të tjerë", u shpreh Hoxha.
Ndiqni intervistën e plotë:

