Hel*im në “SachPizza”/ IKSHPK konfirmon 74 raste: Dyshohet ushqimi i kontaminuar

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka publikuar të dhënat e fundit për rastin e dyshuar të helmimit në një nga pikat e “SachPizza” në Prishtinë, duke bërë të ditur se janë identifikuar 74 persona të prekur.
Sipas IKSHPK-së, rastet janë të lidhura epidemiologjikisht me konsumimin e ushqimit në disa pika të të njëjtit operator gastronomik në Prishtinë.
Nga 74 personat e prekur, 29 janë hospitalizuar, ndërsa 45 të tjerë janë trajtuar në mënyrë ambulatore. Simptomat e raportuara përfshijnë barkqitje, të vjella, temperaturë, ethe dhe plogështi.
Instituti ka konfirmuar se në mostrat e marra nga pacientët është identifikuar prania e bakterit Salmonella Enteritidis, ndërsa mostrat e ushqimit dhe strishot e marra nga ambientet e kontrolluara kanë rezultuar negative.
Megjithatë, IKSHPK thekson se mungesa e salmonelës në mostrat e ushqimit gjatë kontrollit nuk e përjashton mundësinë që infeksioni të ketë ardhur nga ushqimi i kontaminuar më herët.
Sipas institutit, analiza epidemiologjike tregon një rritje të shpejtë të rasteve me kulm më 10 korrik dhe më pas një rënie të menjëhershme, çka përputhet me një shpërthim nga një burim i përbashkët me ekspozim të kufizuar në kohë.
IKSHPK, së bashku me Qendrën Rajonale të Shëndetësisë Publike në Prishtinë, po vijon hetimet në terren, ndërsa përfundimi përfundimtar i rastit do të bazohet në analizimin e të dhënave laboratorike, klinike dhe të gjurmueshmërisë së ushqimit.


