Ervin Mata drejt ekstradimit në Tiranë, Gjykata e Lartë e Brazilit i refuzon lirimin nga qelia

Gjykata e Lartë Federale e Brazilit i ka hapur rrugë ekstradimit të Ervin Matës drejt Tiranës. Ky i fundit u arrestua në Brazil në fund të prillit, por ka ndjekur shkallët gjyqësore për të kërkuar lirimin. Mirëpo kërkesat e tij janë rrëzur edhe në shkalën më të lartë.
Vendimi mban datën 21 korrik 2026 dhe është firmosur nga ministri Alexandre de Moraes, relator i çështjes së ekstradimit nr. 1.925, ku kërkues është Qeveria e Republikës së Shqipërisë.
Autoritetet shqiptare kërkojnë ekstradimin e Ervin Matës për procedim penal lidhur me akuzat për trafik të lëndëve narkotike, kryerje të veprave penale në kuadër të organizatës kriminale dhe grupit të strukturuar kriminal, të parashikuara nga Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë.
Në vendimin e publikuar nga “EuronewsAlbania” paraqitet edhe kronologjia e procedurës. Sipas Gjykatës, masa e arrestit parandalues ndaj Matës u caktua më 11 mars 2025, ndërsa arrestimi i tij nga Policia Federale e Brazilit u ekzekutua më 25 prill 2026.
Pas arrestimit, Gjykata e Lartë Federale zhvilloi procedurat për marrjen në pyetje të personit të kërkuar për ekstradim. Mbrojtja paraqiti kundërshtimet e saj, duke kërkuar rrëzimin e kërkesës për ekstradim ose zëvendësimin e arrestit me masa alternative të sigurimit.
Avokatët e Matës pretenduan se Shqipëria nuk kishte respektuar afatin ligjor për formalizimin e kërkesës për ekstradim. Sipas tyre, duhej të shqyrtoheshin edhe çështje të tjera që lidhen me juridiksionin për veprat penale të pretenduara.
Gjykata e Lartë braziliane nuk i pranoi këto argumente. Në arsyetimin e tij, ministri Alexandre de Moraes thekson se kërkesa formale për ekstradim ishte protokolluar pranë autoriteteve braziliane më 7 mars 2025 dhe ishte rikonfirmuar përmes Notës Verbale nr. 46/2026 të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë, të përcjellë më 2 korrik 2026.
Sipas vendimit, ky dokumentacion provon vazhdimësinë e interesit të shtetit shqiptar për ekstradimin e Matës dhe përmbushjen e kërkesave procedurale. Gjykata i referohet gjithashtu qëndrimit të Prokurorisë së Përgjithshme të Brazilit, e cila ishte shprehur në favor të pranimit të kërkesës për ekstradim dhe kundër lirimit të tij.
Në vendim argumentohet se arresti parandalues në procedurat e ekstradimit është një masë thelbësore për të garantuar që personi i kërkuar të mbetet në dispozicion të autoriteteve dhe për të siguruar zbatimin e një vendimi të mundshëm pozitiv për ekstradimin.
Ministri Alexandre de Moraes vlerëson se në rastin konkret nuk ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që do të justifikonin heqjen e masës së arrestit, duke përmendur edhe rrezikun e largimit të personit të kërkuar.
Në përfundim, Gjykata e Lartë Federale e Brazilit vendosi: rrëzimin e kërkesës për shfuqizimin e arrestit parandalues ndaj Ervin Matës; moszëvendësimin e arrestit me masa të tjera sigurie; rrëzimin e kërkesave të mbrojtjes për kryerjen e veprimeve të tjera hetimore.
Me këtë vendim, Ervin Mata do të vijojë të qëndrojë në arrest në Brazil, ndërsa vazhdon shqyrtimi i kërkesës së autoriteteve shqiptare për ekstradimin e tij.
Mata është në kërkim ndërkombëtar nga SPAK që nga nëntori i vitit 2023. Gjykata e Lartë Federale kishte lëshuar një urdhër arresti për Ervin Matën, i cili kërkohet nga SPAK si përgjegjës për trafikimin sasive të konsiderueshme të kokainës nga Amerika Latine në Europa.
Me herët drejtësia shqiptare ka paraqitur një kërkesë në gjykatat braziliane për ekstradimin e biznesmenit. Sipas Prokurorisë së Posaçme, Ervin Mata, së bashku me grupin e tij është përgjegjës për trafikimin e lëndëve narkotikë nga Amerika Latinë në Europë.
Po ashtu, sipas SPAK këtij grupi i janë kapur për një periudhë kohorë prej 2 vitesh një sasi prej 931 kg lëndë narkotikë. Paratë e fituara nga ka aktiviteti i drogës, grupi në fjalë besohet se i ka investuar në Shqipëri në ndërtim. Për të mos rënë në sy të autoriteteve levizjen e parave e bënin nëpërmjet sistemit Hawala. /Pamfleti
Shënim: Ky material nuk është prodhim editorial i "Oranews.tv", por është ripublikuar nga "Pamfleti" për qëllim informimin e publikut mbi një çështje të pretenduar me interes publik. Përmbajtja e tij, përfshirë çdo pretendim, deklaratë, akuzë dhe opinion i atribuohet "Pamfleti". "Oranews.tv" mbetet e hapur për të publikuar çdo reagim, sqarim ose përgënjeshtrim nga personat, apo subjektet e përmendura në material, në përputhje me legjislacionin në fuqi.



