DETAJE NGA ATENTATI NË BËRXULLË/ Aludohet për vr*sje me pagesë, autori e priti Edmond Sulën te dera e shtëpisë, më pas u largua me...
Detaje të reja kanë dalë nga hetimet për vrasjen e Edmond (Ali) Sulës në Bërxullë të Vorës. Grupi hetimor dyshon se 50-vjeçari është ekzekutuar nga një vrasës me pagesë, ndërsa pista kryesore e hetimit lidhet me konfliktet e mundshme për çështje pronësie.
Sipas të dhënave paraprake, autori e ka pritur Sulën deri në momentin kur ai ka mbërritur pranë banesës së tij.
Pasi 50-vjeçari ka zbritur nga automjeti dhe po hynte në shtëpi, është qëlluar me një plumb në kokë, duke humbur jetën në vend.
Pamjet e kamerave të sigurisë kanë fiksuar autorin duke u larguar në këmbë nga vendi i ngjarjes. Hetuesit dyshojnë se më pas ai është marrë nga persona të tjerë me automjet, për t'u larguar nga zona.
Mënyra e organizuar e atentatit ka ngritur dyshime se pas krimit fshihet një ekzekutim i planifikuar, ndërsa hetimet po përqendrohen në identifikimin e autorit dhe të personave që mund ta kenë ndihmuar.
Edmond Sula ishte një emër i njohur për Policinë e Shtetit. Në të kaluarën ai ishte proceduar për vepra të ndryshme penale, përfshirë rrahje, grabitje dhe konflikte të tjera.
Aktualisht, hetuesit po verifikojnë aktivitetin e tij në fushën e shitblerjes së pronave dhe konfliktet e mundshme që mund të kenë lindur nga kjo veprimtari.
Familjarët kanë bërë me dije se nuk kanë dijeni për ndonjë konflikt të fundit që viktima mund të ketë pasur me persona të tjerë.


