Iran kundërpërgjigjet ndaj SHBA-ve/ Sulme ndaj bazave amerikane në rajon

Iran kundërpërgjigjet ndaj SHBA-ve/ Sulme ndaj bazave amerikane

Konflikti mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara ka hyrë në një fazë të re tensioni, pasi Teherani ka njoftuar sulme ndaj bazave ushtarake amerikane në disa vende të Lindjes së Mesme. Përplasja vjen pas bombardimeve amerikane ndaj objektivave në territorin iranian.

Sipas autoriteteve iraniane, sulmet kanë prekur instalacione ushtarake amerikane në Bahrein, Kuvajt, Oman, Katar dhe Jordani, si kundërpërgjigje ndaj operacioneve ajrore të SHBA-ve.

Ndërkohë, Uashingtoni ka vijuar goditjet ndaj objektivave në Iran, duke rritur shqetësimet për një zgjerim të konfliktit në rajon.

Në fokus të përplasjes është edhe Ngushtica e Hormuzit, një nga pikat më të rëndësishme të transportit të naftës në botë. Raportime të fundit kanë bërë të ditur për shpërthime në qytetet portuale iraniane Bandar Abbas, Sirik dhe Jask, si edhe në ishullin Qeshm.

Një ditë më parë, ushtria amerikane bëri të ditur se kishte goditur rreth 140 objektiva në territorin iranian. Pas këtyre veprimeve, Teherani njoftoi nisjen e sulmeve ndaj bazave amerikane në rajon.

Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë të ditur se Ngushtica e Hormuzit mbetet e hapur për lundrimin ndërkombëtar, ndërsa autoritetet iraniane kanë paralajmëruar se kalimi detar do të varet nga rikthimi i stabilitetit në zonë.

Përplasjet e fundit kanë shtuar frikën për një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme, me ndikime të mundshme në sigurinë rajonale dhe tregjet globale të energjisë.

EMISIONET